Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
15 dhjetor 2025
Disa banka komerciale në Kosovë kanë rritur këtë vit tarifat për një sërë shërbimesh bankare, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar kanë shënuar fitime rekorde. Shtrenjtimet kanë përfshirë tërheqjet e parave në degë, mirëmbajtjen e kartelave bankare, shërbimet e ‘e-banking’ si dhe aplikacionet digjitale.
Edhe pse sektori bankar rezultoi me fitime të larta, as bankat dhe as Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nuk kanë dhënë shpjegime konkrete për arsyet e rritjes së tarifave. Qytetarët tashmë po paguajnë deri dyfish më shumë për disa shërbime bazë bankare.
Sipas të dhënave të BQK-së, sektori bankar në Kosovë mbylli vitin 2024 me fitim neto prej 182.1 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Ndërkaq, vetëm për periudhën janar–shtator 2025, fitimi neto arriti në 137.2 milionë euro.
Rritjet e tarifave janë reflektuar edhe në shërbimet më të përdorura. Për shembull, tarifa për tërheqje kesh në degë deri në 10 euro, e cila më parë ishte 2 euro, nga muaji nëntor në një prej bankave është rritur në 4 euro, ose 100% më shumë. Po ashtu, mirëmbajtja mujore e ‘e-banking’ për individë, që deri vitin e kaluar ishte falas, tashmë është vendosur në 0.50 euro. Tarifa vjetore për kartelat ‘Visa’ dhe ‘Master’ është rritur nga 15 në 18 euro.
Në një bankë tjetër, tarifa për njoftimet SMS për blerje online dhe kodet e verifikimit është dyfishuar nga 0.10 në 0.20 euro, ndërsa norma e këmbimit për transaksione me kartelë në valuta jo-euro është rritur nga 1% në 2% që në fillim të këtij viti.
Ndërkohë, Raiffeisen Bank Kosova ka njoftuar klientët për tarifa të reja, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në periudhën e ardhshme.
BQK ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar dhe 2025-tës ka pranuar 17 ankesa në lidhje me ndryshimet në çmimet e shërbimeve bankare. Sipas BQK-së, tarifat përcaktohen nga vetë bankat, por ato janë të obliguara t’i publikojnë dhe t’i komunikojnë në mënyrë transparente për klientët.
“Procesi i rishikimit të tarifave realizohet mbi bazën e metodologjive të brendshme të bankave, të cilat janë subjekt i mbikëqyrjes rregullative. BQK-ja ka avancuar kornizën rregullative për të rritur transparencën dhe konkurrencën”, ka bërë të ditur Banka Qendrore.
Nga ana tjetër, Shoqata e Bankave të Kosovës ka deklaruar se nuk monitoron tarifat individuale të bankave dhe nuk posedon të dhëna të sakta për rritjen e tyre.
Ndryshimet e fundit në tarifat bankare kanë shkaktuar shqetësim edhe te bizneset. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka vlerësuar se këto rritje e vështirësojnë planifikimin financiar, duke krijuar pasiguri për shpenzimet operative.
Megjithëse bankat kanë të drejtë të rrisin tarifat në rast të ndryshimeve të kostove operative, investimeve apo shërbimeve jo-standarde, kërkohet që çdo ndryshim të jetë i qartë, i arsyetuar dhe transparent për klientët.

















