Koha e parashikuar e leximit: 5 minuta
25 tetor 2025
Seanca e Kuvendit për votimin e Qeverisë së re është caktuar të mbahet nesër, më 26 tetor, nga ora 10:00. Në këtë seancë do të mësohet nëse Albin Kurti do të arrijë të sigurojë numrat për formimin e Qeverisë Kurti 3, apo do të dështojë.
Seanca vjen në përfundim të afatit kushtetues 15-ditor për dorëzimin e përbërjes së qeverisë. Në rend dite është vetëm një pikë: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 26.10.2025, në orën 10:00, në sallën e Kuvendit. Ftohen të gjithë deputetët e Kuvendit”, thuhet në ftesën e Kryeparlamentarit Dimal Basha.
Më 21 tetor, kreu i LVV-së, Albin Kurti, gjatë një takimi me mërgatën, la të kuptohet se formimi i qeverisë nuk është i lehtë dhe paralajmëroi mundësinë e zgjedhjeve të reja: “Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e diel më së largu, se të hënën s’muj m’u përgatit se të hënën ose e kemi bërë qeverinë ose s’e kemi bo. Prandaj në këto ditët e mbetura jemi t’u komuniku, jemi t’u bisedu, nuk është kollaj se s’di si me jau spjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inate e cinizëm shumë më shumë se ide punë e pasion. Por, jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe por siç po duket alternativa është do të shkojmë zgjedhje prapë, ose do ta bjëmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se nuk duket që partitë opozitare kanë vullnet për të formuar qeveri alternative: “Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe synim për qeveri të tyre alternative”, tha Kurti në Londër para mërgatës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, më 15 tetor ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt me LVV-në dhe se nuk do të pranonin të diskutonin për qeveri me ta.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, deklaroi Krasniqi.
Ai tha se Kurti nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë: “Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë, sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla, që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit deri më 14 dhjetorit, ndoshta me 7 dhjetor. E nëse na befason Kurti, mbesim me shku në zgjedhje në prill”, tha Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk do të hyjë në asnjë koalicion me LVV-në, duke akuzuar kryeministrin në detyrë për mashtrime politike dhe manipulim të opinionit publik në lidhje me shumicën parlamentare:
“Qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm. Kemi dallime thelbësore me Lëvizjen Vetëvendosje. Është kontribut kombëtar i LDK-së të emancipojë skenën politike duke mos bashkëpunuar me një lëvizje që ka ngjallur urrejtje, ndarje e përçarje. Që e ka izoluar Kosovën, që nuk beson në vlerat bazike të Republikës së Kosovës, që e uzurpon Qeverinë e Kosovës padrejtësisht, që e shkel Kushtetutën, që mashtron publikisht para popullit dhe thotë ‘i kam 61 vota, më testoni’, e s’është në gjendje të dalë e të thotë si burrë: ‘Nuk i kam, prej ditës së parë’”, tha Abdixhiku në Debat Plus
Po ashtu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes kreut të saj Ramush Haradinaj, ka thënë “JO” për koalicion me Kurtin.
Haradinaj tha se LVV-ja ka interesim për bashkëqeverisje, por nuk ka interes për koalicion me Kurtin dhe se ai nuk i ka numrat.
Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar prerazi se nuk do ta votojë qeverinë Kurti.
“Jo, nuk votoj. Jo me Dimal Bashën. Nuk ka votë për qeverisje, as me votat e NISMA-s. Nuk kemi pasur asnjë takim pas zgjedhjes së Bashës dhe kemi kërkuar shkarkimin e tij. Dua ta shoh këtë si një aksident… por vendi nuk drejtohet kështu”, tha Limaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse nuk arrihet marrëveshje për Qeverinë e re gjatë seancës së së dielës, ajo do t’i ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.

















