Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 dhjetor2025
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, u diskutua rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe nevoja për një hetim amerikan mbi sulmin terrorist në Banjskë.
Kongresisti republikan Keith Self, kryetar i nënkomisionit për Evropë, pyeti tre ekspertë të politikave ballkanike – Max Primorac, Luke Coffey dhe Edëard Joseph – nëse e shohin kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si pengues të proceseve. Ai kërkoi një përgjigje të thjeshtë “po” ose “jo”.
Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk janë në nivelin e duhur për shkak të mungesës së koordinimit nga Qeveria Kurti. “Ka pasur raste kur SHBA-ja ka tërhequr vërejtje për mungesën e koordinimit në vendimmarrje. Është koha të përpiqemi të rivendosim nivelin e marrëdhënieve që kemi pasur më parë,” tha Spahiu për RTV21.
Edhe eksperti Agon Maliqi shprehu shqetësim për marrëdhëniet jo të mira me SHBA-të, duke e konsideruar Qeverinë Kurti si pengues të proceseve dhe interesave amerikane në rajon. “Mbështetja e SHBA-së për Kosovën vazhdon, por marrëdhëniet nuk janë produktive,” tha Maliqi.
Të dy ekspertët kërkuan nga përfaqësuesit politikë të përkushtohen më shumë për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-të dhe BE-në, duke theksuar se përparimi i Kosovës është i lidhur ngushtë me mbështetjen e aleatëve.
Spahiu shtoi: “Pa SHBA-të, nuk do të kishim arritur shumë nga hapat që kemi bërë që nga shpallja e pavarësisë. Qeveritë duhet të përpiqen të forcojnë këto marrëdhënie, jo vetëm me SHBA-në, por edhe me partnerët demokratikë të BE-së.”
Maliqi përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e raporteve të besueshme: “Kosova duhet të ketë prioritet thellimin e marrëdhënieve sepse është në interesin e saj strategjik. Nuk mund të zgjidhim çështjet me Serbinë dhe të avancojmë në NATO pa bashkëpunim konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë.”
Më 12 shtator, SHBA-ja ndërpreu dialogun strategjik me Qeverinë e Kosovës, duke argumentuar se veprimet dhe deklaratat e qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.

















