”Diplomaci me kakofoni”, kush flet për Kosovën?

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

05 tetor 2025

Për çdo vend, politika e jashtme është karta kryesore e ndikimit dhe sigurisë. Për Kosovën, kjo kartë po luhet në kushte të vështira: sanksione nga Bashkimi Evropian, pasiguri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe sfida të pazgjidhura në dialogun me Serbinë

Sikur këto të mos mjaftonin, situata komplikohet edhe më nga mungesa e dukshme e koordinimit mes institucioneve dhe paqartësia në përcaktimin e qëndrimeve para partnerëve ndërkombëtarë.

Ish-diplomati Albert Prenkaj thotë se Kosova nuk ka një politikë të jashtme të ndërtuar mbi strategji të qartë dhe aleanca të konsoliduara. Sipas tij, vendit i mungon konvergjenca, bashkëpunimi dhe sinergjia me SHBA-në dhe BE-në.

“Kosova është duke përjetuar një asfiksim, një vetëmbyllje dhe ka humbur relevancën në arenën ndërkombëtare. Ka një mungesë totale koordinimi, një kakofoni në politikën e jashtme, që, për pasojë, ka sjellë sanksione”, thotë Prenkaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Për më shumë se dy vjet, Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të vendimeve të Qeverisë që janë perceptuar si të njëanshme dhe në dëm të komunitetit serb. Së fundmi, edhe SHBA-ja ka pezulluar nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën – të krijuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe – duke shtuar pasigurinë dhe izolimin ndërkombëtar të vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pranuar ekzistencën e disa dallimeve me SHBA-në, por ka theksuar se Kosova nuk i ka prishur marrëdhëniet me të. Presidentja Vjosa Osmani, në anën tjetër, ka shprehur keqardhje për pezullimin e Dialogut Strategjik dhe ka nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me SHBA-në.

Në fund të muajit të kaluar, të dy këta udhëheqës dhe shefja në detyrë e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, qëndruan në Shtetet e Bashkuara, derisa zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por të tre me agjenda të ndara prej njëri-tejtrit.

Nga takimet e realizuara, Osmani publikoi fotografi me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Gërvalla mori pjesë në një forum të ministreve të Jashtme gra dhe zhvilloi takime të ndara me homologet nga Shqipëria dhe Andorra, ndërsa Kurti shpërndau pamje nga takimet me kongresistë, me studentë, me shqiptaro-amerikanë e të tjerë.

Scroll to Top