Digjet gjatë natës bageri i kontraktuar për rrënime në Mitrovicë, Peci e quan akt kriminal dhe kërcënues

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

26 janar 2026

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar i është vënë zjarri një bageri, mekanizëm i një kompanie që ishte e angazhuar në rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje.

Peci e ka dënuar ashpër këtë akt, duke e cilësuar si veprim kriminal dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe të gjithë atyre që angazhohen për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike në Mitrovicë.

Sipas tij, sulme të tilla nuk do ta ndalin angazhimin e komunës në luftën kundër paligjshmërisë, kriminalitetit dhe parregullsive urbane. Ai ka theksuar se institucionet lokale nuk do të tërhiqen nga zbatimi i ligjit, pavarësisht presioneve apo veprimeve kërcënuese.

Kryetari i komunës u ka bërë thirrje organeve të rendit që të intensifikojnë hetimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se, sipas tij, nuk do të ketë kompromis me krimin në asnjë pjesë të Mitrovicës, as në jug dhe as në veri.

Scroll to Top