“Borxhi i keq” i KESCO-s u ngarkua në tarifa “paushall”, dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

19 janar 2026

Për vite me radhë, ZRrE e kishte përfshirë në tarifa “borxhin e keq” të KESCO-s, përmes një metode “paushall” dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit.

Gjetjet dalin nga dy raporte të auditimit të cilave i është referuar  Buletini Ekonomik. Dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte zbatuar për vite të tëra metodë të gabuar për përcaktimin e “borxhit të keq” të KESCO-s, një kosto që u ngarkohet vit për vit konsumatorëve në tarifa.

Përveç një vlerësimi ‘paushall’ dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit, dy raporte të auditimit erdhën edhe te një gjetje e tretë, mjaft shqetësuese.
Edhe atëherë kur inkasimi i KESCO-s nga faturat ishte gati 100 për qind, vlerësimi për borxhin mbeti i njëjti ndër vite, në nivelin 4% në raport me të hyrat vjetore të kompanisë. Kjo metodë u aplikua që nga viti 2011, koha kur ishte privatizuar edhe Rrjeti i Shpërndarjes.

Nga kjo praktikë, që tashmë është kontestuar nga auditorët e shtetit, dyshohet se u shkaktua dëm dhjetëra miliona euro ndaj konsumatorëve të rrymës në Kosovë.

Njëri raport është i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2019, dhe një tjetër i Kuvendit të Kosovës, në kuadër të një hetimi për sektorin e energjisë, në të cilin Buletini Ekonomik ka siguruar qasje.

Gjetjet nga të dyja raportet çojnë të rezultate të njëjta dhe mjaft shqetësuese.

Scroll to Top