Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
10 tetor 2025
Deputetët po rikthehen sot në ulëset e Kuvendit të Kosovës në një seancë të re konstituive, në tentativë për të përfunduar procesin për kompletimin e këtij institucioni që ka ngecur që nga 15 prilli.
Njoftimi për mbajtjen e seancës pas mbi një muaji “pauzë” u bë në faqen zyrtare të parlamentit të enjten, ku në rend dite është vetëm një pikë, “zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb”.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të plotë të publikuar dy ditë më parë, ka konstatuar se “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte përmbyllur seancën e “nxehtë” të verës, më 30 gusht pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të parlamentit.
A ka votë LDK për nënkryetar nga Lista Serbe? Përgjigjet Gashi
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka folur për mundësinë e votës së partisë së tij për nënkryetarin e Kuvendit nga Lista Serbe.
Ai tha se votimi është detyrim kushtetues, por tani po shkojnë drejt marrjes së një vendimi përfundimtar.
“Siç e kam thënë që ditën e parë, bllokimi nuk është kushtetues, por politik, mungesë konsensusi, mungesë vullneti për konsensus dhe mungesë fuqie politike për të formuar institucionet.
“Kjo është detyrim kushtetues, por tash po shkojmë për ta marrë vendimin final”, u shpreh ai.
Bahtiri: Unë e prej dorën e Listën Serbe s’e votoj
Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri ka deklaruar se Nenad Rashiq, sipas bindjeve të tij do të zgjidhet nënkryetari i pestë i Kuvendit të Kosovës.
Para nisjes së seancës konstituive, Bahtiri po ashtu tha se më parë e prenë dorën, sesa ia hedh votën Listës Serbe, transmeton Klankosova.tv.
“Këtë mendim e kanë edhe kolegë të mi të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Kadrijaj: Nuk do të votojmë askënd, ata që e kanë bllokuar situatën le ta zhbllokojnë
Deputetja Time Kadrijaj nga AAK ka folur para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila po mbahet sot, një muaj pas pauzës.
Ajo ka theksuar se AAK nuk do të votojë për askënd, duke shtuar se përgjegjësinë për zhbllokimin e situatës e kanë ata që e kanë krijuar atë, transmeton Klankosova.tv.
“Ne e kemi ditur që do të arrijmë në këtë situatë të bllokadës, sepse qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë që të mos konstituohet Kuvendi. Ju e dini që nuk është bërë as minimumi i përpjekjeve për sigurimin e votave për kryeparlamentar. Ne kemi dashur t’i japim një epilog kësaj situate, por siç e patë, në mënyrë arbitrare, pa marrëveshje dhe pa mision, është ndalur votimi i nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë.
“Nuk do të votojmë asnjë. Ata që e kanë bllokuar këtë situatë, do ta zhbllokojnë”, tha Kadrijaj.
A pritet sot konstituimi i Kuvendit? – Hasani: Nëse sot jo, të hënën kismet
Deputeti i PDK-së, Nasim Hasani e quan jo të drejtë publikimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese disa ditë para zgjedhjeve lokale.
Sipas tij, nëse sot nuk arrihet konstituimi i Kuvendit, Hasani shprehet i bindur se një gjë e tillë do të arrihet në hënën, transmeton Klankosova.tv.
“Është një vendim i Gjykatës që ka dalë me afat kohor prej 12-ditësh, afati ka filluar që pardje, kështu që sot do të kemi një mbledhje të grupit, dhe sigurisht do të dalim me një qëndrim.
E shoh si jo të drejtë daljen e aktgjykimit dy ditë para zgjedhjeve, që do t’i vë të gjitha partitë politike në presion, por besoj se me një marrëveshje do të ia dalim, nëse jo, të hënën kismet po”, tha Hasani.

















