Bllokada e transportuesve në rajon rrezikon furnizimin dhe çmimet në Kosovë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

29 janar 2026

Bllokimi i disa pikave kufitare nga transportuesit e vendeve të rajonit ka ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen, duke ndikuar drejtpërdrejt në importet dhe eksportet e Kosovës. Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në rritje të çmimeve në tregun vendor, duke theksuar nevojën për politika mbrojtëse dhe mbështetje për prodhuesit lokalë.

Që nga mesdita e 26 janarit, transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë bllokuar disa pika kufitare, në shenjë proteste kundër sistemit të ri të Bashkimit Evropian për hyrje-dalje (EES). Ky sistem kufizon qëndrimin e shtetasve jashtë zonës Schengen në maksimum 90 ditë brenda 180 ditësh. Sipas transportuesve, kjo periudhë është e pamjaftueshme për natyrën e punës së tyre dhe shkakton humbje financiare, si dhe rrezik për dëbim të shoferëve.

Protestuesit kërkojnë përjashtimin e kompanive të transportit nga ky rregull dhe paralajmërojnë se bllokada do të vazhdojë për shtatë ditë, nëse nuk gjendet një zgjidhje.

Megjithëse Kosova nuk merr pjesë në protestë, ajo po përballet me pasojat, pasi pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme realizohet përmes transitit nëpër këto vende. Për më tepër, edhe shoferët kosovarë preken nga zbatimi i sistemit EES.

Në këtë kontekst, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se një bllokadë njëjavore mund të dëmtojë seriozisht kompanitë kosovare dhe të rrezikojë kontratat me partnerët evropianë.

Drejtori i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, tha për REL se dëmet rriten proporcionalisht me kohëzgjatjen e bllokadës, ndërsa pasojat mund të ndihen edhe nga konsumatorët përmes rritjes së çmimeve.

Kosova mbetet kryesisht e varur nga importi i produkteve bazë – nga ushqimi deri te materialet ndërtimore dhe tekstili. Sipas Doganës së Kosovës, importet gjatë vitit të kaluar kapën vlerën mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet rreth 942 milionë euro, duke e bërë ekonominë veçanërisht të ndjeshme ndaj pengesave në transit.

Edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, vlerëson se bllokadat kufitare krijojnë presion të drejtpërdrejtë në tregun vendor dhe mund të reflektohen në rritje çmimesh.

Ai kujton se Kosova ka përjetuar edhe më herët pasoja nga krizat e jashtme, veçanërisht në vitin 2022, kur inflacioni arriti rreth 14 për qind, si pasojë e çrregullimeve globale të furnizimit.

Sipas ekspertëve, niveli i lartë i varësisë nga importi e bën Kosovën të ndjeshme ndaj krizave të jashtme, ndërsa mungesa e mekanizmave mbrojtës e përkeqëson situatën. Ata theksojnë nevojën për politika të qëndrueshme ekonomike, masa doganore dhe fiskale, si dhe subvencione për prodhimin vendor.

Ahmeti sugjeron që Qeveria të shqyrtojë masa konkrete, përfshirë pezullimin e përkohshëm të TVSH-së për produktet esenciale dhe stimulimin e prodhimit vendor, në mënyrë që një pjesë më e madhe e kërkesës të mbulohet nga prodhimi i brendshëm.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka njoftuar se po punon për lehtësime që do t’u mundësonin shoferëve të kamionëve dhe disa profesionistëve të tjerë qëndrime më të gjata në zonën Schengen, një vendim nga i cili do të përfitonin drejtpërdrejt edhe qytetarët e Kosovës.

Scroll to Top