Më 29 nëntor bëhet një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, një ngjarje tragjike që tronditi gjithë opinionin publik. Pavarësisht se ka kaluar një vit nga krimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve: Naim Murseli, ish-bashkëshortit të viktimës, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Ky vonesë në procedurat ligjore ka ngritur shqetësime për efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe për mundësinë që drejtësia të vonohet në raste kaq të rëndësishme.
Derisa të dyshuarit vazhdojnë të mbahen në Burgun e Sigurisë së Lartë, nga Prokuroria bëjnë të ditur për Telegrafin se lënda është ende në procedurë hetimore.
Për vonesën e ngritjes së aktakuzës është deklaruar edhe avokati Musa Damati.
Damati në një deklaratë për Telegrafin u shpreh se ka mungesë të efikasititeti në trajtimin e rasteve të tilla të ndjeshme.
“Vonesat e tilla nga ana e organit të akuzës nuk mendoj se mund të bëhen për shkak të kompleksivitetit të hetimeve, por më tepër për shkak të mungesës së efikesitetit në trajtimin e rasteve të tilla të ndjeshme, të cilat duhet të trajtohen me prioritet. Për dallim nga prokuroritë e vendeve të zhvilluara evropiane apo atyre në SHBA, ku prokuroritë janë efikase dhe transparente madje duke organizuar edhe konferenca për shtyp në intervale stade të ndryshme të procedurës, një qasje e tillë nuk është evidente në Kosovë”, ka pohuar ai.
Duke folur për trajtimin e rasteve të ndjeshme, avokati Damati tha se pas provimit të fajësisë, të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
“Prokuroritë në rastet e tilla dhe të ndjeshme ashtu si në rastin e Banjskës dhe raste të ngjashme, duhet të karakterizohen nga efikasiteti profesionalizmi por edhe transparenca duke mos i dëmtuar konfidencialitetin e hetimeve njëkohësisht. Sanksioni penal për veprat e tilla të rënda penale pas provimit të fajësisë në procedurën gjyqësore, mund të rezultojë deri në burgim të përjetshëm”, potencoi avokati.
Ndryshe, viktima, Liridona Ademaj pas vetës ka lënë dy djem, vrasja e saj kishte nxitur reagime të ashpra në shoqëri.
Naim Murseli, ishte figurë e njohur në Kosovë, ai për një kohë kishte punuar si këshilltar politik i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.