BE njofton takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur Kosovë-Serbi

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 janar 2026

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se më 22 janar u zhvillua takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në kuadër të dialogut teknik Kosovë-Serbi. Në këtë takim morën pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ai i Serbisë, Petar Petkoviq, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Peter Sorensen.

Ky komision, i cili u dakordua më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka për qëllim të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Synimi është zbardhja e fatit të personave ende të zhdukur, përfshirë ata të zhdukur me forcë, dhe dhënia e përgjigjes për familjet e tyre, duke promovuar pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

Sipas Bashkimit Europian, Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit Punues të kryesuar nga ICRC, duke lehtësuar aktivitetet zbatuese, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit. Çdo çështje e kontestuar do t’i kthehet Grupit Punues për miratim dhe zbatim.

BE-ja ka theksuar pritshmërinë e madhe që ky Komision të kontribuojë në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet e personave të zhdukur, të cilat presin përgjigje prej shumë vitesh.

Scroll to Top