Ballkani Perëndimor ende në pikë kritike, Serbia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në BE

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

16 dhjetor 2025

Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë në një situatë të vështirë, pavarësisht reformave dhe përparimeve që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Instituti gjerman “Aspen”, i cili mbështet vendet e rajonit në rrugën drejt BE-së, ka publikuar raportin e tij më të fundit me titullin “Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”, ku identifikon një sërë sfidash që pengojnë integrimin e vendet e rajonit.

Sipas raportit, disa vende mbeten prapa për shkak të fragmentimit politik, mangësive në qeverisje dhe ngecjes së reformave. Instituti thekson se dobësia e sundimit të ligjit, politizimi i institucioneve dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe reduktojnë besimin e qytetarëve. Një tjetër sfidë e madhe është edhe përhapja e dezinformimit, që vjen si nga aktorë vendorë me interesa politike afatshkurtra, ashtu edhe nga aktorë të jashtëm që synojnë dobësimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe zbehjen e mbështetjes për integrimin në BE.

Ikja e trurit dhe sfidat demografike

Raporti nxjerr në pah fenomenin e “largimit të trurit”, ku të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar po lëvizin drejt vendeve të tjera në kërkim të mundësive më të mira. Kjo situatë ndikon negativisht në modernizimin e ekonomive rajonale dhe zvogëlon kapacitetin për zhvillim të qëndrueshëm. Shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina – vazhdojnë të qëndrojnë nën standardet e BE-së në fushën e aftësive dhe tregut të punës, pavarësisht rritjes së nivelit arsimor.

Shqipëria dhe sfidat kibernetike

Në procesin e integrimit, Shqipëria dhe Mali i Zi duken si udhëheqës rajonal, kryesisht për shkak të reformave të ndërmarra. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike përmes platformës e-Albania. Megjithatë, raporti thekson dobësitë në sigurinë kibernetike, duke përmendur sulmet e vitit 2022 që u atribuohen Iranit. Sfida vazhdon edhe në lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve si Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave.

Kosova dhe Serbia: pengesa në rrugën drejt BE-së

Kosova, e konsideruar kandidat potencial për anëtarësim, përballet ende me sfida kryesore, ku normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është çelësi për avancimin e procesit. Serbia, e cila ka nisur negociatat për anëtarësim që nga viti 2014, përballet me sfida të ngjashme, duke përfshirë reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias dhe harmonizimin e politikës së jashtme, që ngadalësojnë ritmin e integrimit.

Sfidat e brendshme dhe gjeostrategjike të BE-së

Raporti nënvizon se zgjerimi i Bashkimit Europian ndodhet në një udhëkryq, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë dhe skepticizmit të brendshëm mbi aftësinë e vendeve të reja për t’u përshtatur me rregullat e Unionit. Ndërsa disa vende anëtare kërkojnë konsolidim institucional për pranimin e vendeve të reja, të tjera shohin procesin e zgjerimit si një mundësi për modernizimin e institucioneve në rajon.

Scroll to Top