Asociacioni mbetet nyja kryesore, përparim i kufizuar dhe ngecje politike për Kosovën drejt BE-së

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

19 dhjetor 2025

Konkluzat e fundit të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit tregojnë një qasje të dyfishtë ndaj Kosovës: përparim në disa fusha, por edhe ngecje të theksuara politike. Kështu i vlerëson këto zhvillime Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), e cila thotë se qëndrimi i BE-së është në vazhdën e politikës së ndjekur gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas saj, një nga zhvillimet pozitive është vendimi për heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri. Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se të gjitha masat pritet të hiqen deri në janar të vitit 2026, duke i hapur Kosovës rrugën për qasje në fonde shtesë evropiane.

Megjithatë, Emini thekson se pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar që në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” vëren se konkluzat e BE-së e lidhin qartë përparimin e Kosovës me zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve dhe asaj për Rrugën drejt Normalizimit, të pranuara në parim nga Kosova dhe Serbia në vitin 2023. Sipas tij, këto marrëveshje përfshijnë edhe Asociacionin, të cilin Kosova ka refuzuar ta themelojë, duke argumentuar se disa elemente bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Në tetor të vitit 2023, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë prezantuan një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, por nuk u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kamberi vlerëson se, pas transferimit demokratik të pushtetit në komunat me shumicë serbe në veri dhe heqjes së pjesshme të masave nga BE-ja, janë shfaqur sinjale të kufizuara pozitive, megjithatë rreziku i bllokadave politike mbetet i pranishëm.

Në konkluzat e miratuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, Kosovës i kërkohet përshpejtim i reformave, veçanërisht në administratën publike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore. Po ashtu, kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë Asociacionin.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në BE, ndonëse aplikimi është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Në dokumentet e BE-së vlerësohet përparimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizimi i proceseve zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Emini paralajmëron se BE-ja po e kushtëzon rrugën evropiane të Kosovës kryesisht me themelimin e Asociacionit, ndërkohë që dialogu politik me Serbinë mbetet i bllokuar që nga shtatori i vitit 2023, pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe vrasjes së një polici kosovar.

Sipas saj, Kosova ndodhet në një situatë të ndërlikuar: vonesat në zbatimin e marrëveshjes sjellin kritika dhe ngadalësim të integrimit, ndërsa veprimet e njëanshme mund të krijojnë pasoja të brendshme politike. Ajo vlerëson se një qeveri e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit mund të hapë gradualisht debatin për Asociacionin, me synimin për të përmirësuar jetën e komunitetit serb dhe për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Scroll to Top