IPK-arreston-nje-zyrtar-doganor-dhe-nje-zyrtar-policor-per-marrje-ryshfeti

Arrestohet një zyrtar policor i Njësisë Speciale për keqpërdorim detyre dhe armëmbajtje pa leje

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 shtator 2025

Një zyrtar policor që shërben në Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në vepra penale.

Sipas njoftimit zyrtar nga IPK, arrestimi është bërë në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërinstitucional dhe është autorizuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Zyrtari i arrestuar dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Hetuesit e IPK-së, me autorizim të organeve të drejtësisë, kanë kryer bastisje edhe në banesën e të dyshuarit në Vushtrri. Ndërkohë, me rekomandim të IPK-së, është kërkuar suspendimi i zyrtarit nga detyra, si masë e përkohshme gjatë zhvillimit të hetimeve.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetuesit në bashkëpunim me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin veprime të tjera hetimore në vijim.

IPK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për hetimin e të gjitha rasteve që lidhen me sjellje të kundërligjshme të zyrtarëve policorë, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie.

Scroll to Top