Analiza/ Çfarë ndodh nëse Kosova nuk e miraton në kohë buxhetin e vitit të ardhshëm?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 teror 2025

Kosova hyri në vitin 2025 e vetëdijshme që do të kishte zgjedhje parlamentare, por pa e ditur se çfarë do ta priste pas tyre.

Sfidë në konstituim të Kuvendit, ankesa të njëpasnjëshme në Gjykatën Kushtetuese, Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, dhe rrezikim të fondeve të huaja në vlerë të qindra miliona eurove. Kur duket se s’ka ku shkon më keq, del çështja e buxhetit shtetëror për vitin e ardhshëm – i cili, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, pritet të jetë rreth 3.5 miliardë euro.

Për ish-ministrin e Ekonomisë, Haki Shatri, situata momentale është shumë shqetësuese. “Buxheti është baza materiale e funksionimit të shtetit. Nëse i rrënohet kjo bazë, shteti falimenton, nuk mund të funksionojë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Për të mos arritur deri aty, buxheti duhet të kalojë nëpër disa faza, që të mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Fazat e miratimit të buxhetit
Buxheti për vitin e ardhshëm fillon të përgatitet qysh në muajin mars, në disa qarkore buxhetore, dhe më pas u shpërndahet për shqyrtim të gjitha institucioneve që financohen nga buxheti. Në kushte ideale, Qeveria i kryen të gjitha përgatitjet dhe, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, datë të fundit për miratim të buxhetit e ka 30 tetorin.

Kështu, deputetët i kanë dy muaj kohë, nga 1 nëntori deri më 31 dhjetor, që ta shqyrtojnë dokumentin në dy lexime, në komisione, dhe t’i bëjnë ndryshimet e duhura. Por, problemi i parë tani është që Kosova ka Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara. Në ligjin për Qeverinë nuk përmendet termi Qeveri në detyrë, por Qeveri në dorëheqje, e cila përkufizohet si qeveri që funksionon pas shpërndarjes së Kuvendit e deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ligji parasheh që një qeveri e tillë nuk mund të miratojë ligje të reja, por mund t’i propozojë Kuvendit miratimin e buxhetit të shtetit.

Scroll to Top