Me rreth një muaj të mbetur deri në përfundimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende po vazhdon procesin e rinumërimit të votave, çka po vonon certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se fokusi kryesor aktualisht mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re. Në anën tjetër, partitë opozitare parlamentare – PDK, LDK dhe AAK – shprehen se zgjedhja e presidentit kërkon domosdoshmërisht një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.
Ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit është e realizueshme vetëm nëse ekziston vullnet politik, pavarësisht kufizimeve kohore të përcaktuara me Kushtetutë. Sipas tij, aktualisht vendi ndodhet ende në fazën e konstituimit të institucioneve, ndërsa bisedimet për presidentin pritet të nisin më vonë.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, deri tani është e vetmja që ka shprehur gatishmëri për një mandat të dytë, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht konsultimet me partitë politike për sigurimin e mbështetjes. Ajo ka deklaruar se synon vazhdimin e mandatit për të përmbyllur proceset e nisura, përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, e cila nuk u mbështet publikisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkohë, politologu Albinot Maloku vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje nuk po shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për ta propozuar Osmanin edhe për një mandat të dytë, duke e cilësuar këtë si gabim politik dhe moral ndaj presidentes aktuale.
Nga ana tjetër, në mesin e juristëve janë ngritur shqetësime se zvarritja e certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe formimi i institucioneve të reja mund të rrezikojnë përmbushjen e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Juristi Anton Nrecaj thekson se një zgjidhje për të shmangur zgjedhjet e reja do të ishte arritja e konsensusit rreth një kandidati të përbashkët.
Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021 me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbështetje edhe nga një pjesë e deputetëve të LDK-së. Megjithatë, në rrethanat aktuale politike, disa deputetë nga LDK, PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë për një mandat të dytë.

















