Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është formalitet dhe nuk mund të arrihet shpejt.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Ai theksoi nevojën për reforma, dialog dhe përmbushje të angazhimeve politike.
Hovenier nënvizoi se Kosova duhet të bindë shtetet anëtare përmes përparimit në marrëdhëniet me Serbinë, reformave në sektorin e sigurisë dhe gatishmërisë për t’iu përshtatur standardeve të Aleancës.
“Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara është të adresohen shqetësimet e tyre”, tha Hovenier në ATV.
Tutje foli edhe për çështjen e dialogut.
Ai tha se përgjegjësia për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i takon SHBA-së apo Bashkimit Evropian, por vetë palëve në dialog.
Sipas tij, SHBA-ja dhe BE-ja janë aty për të ndihmuar dhe mbështetur, por se Kosova duhet të tregojë vullnet për zbatimin e zotimeve të marra.
“Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë duhet të thonë se kjo është përgjegjësia jonë,” deklaroi Hovenier, duke nënvizuar se ekziston një draft-statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i mbështetur nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së, i cili mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
Ai shtoi se, pas këtij hapi, një sërë gjërash pozitive do të mund të ndodhnin për Kosovën.

















