Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 dhjetor 2025
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” sot është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ku Faton Peci ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Komunës.
Mbledhja u udhëhoq nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë seancë u bë edhe betimi solemn i 30 anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Para anëtarëve të Kuvendit, betimin e dha edhe kryetari i sapozgjedhur, Faton Peci, i cili mori mandatin katërvjeçar për të udhëhequr Mitrovicën.
Në fjalimin e tij pas marrjes së detyrës, Peci u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë nga qytetarët, duke e cilësuar detyrën si përgjegjësinë më të madhe që mund t’i besohet një mitrovicasi.
“Mitrovica, ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës dhe durimit, këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm. Përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe. Nga sot, dera ime është e hapur për secilin, me ose pa protokoll”, deklaroi ai.
Kryetari Peci theksoi se do të punojë me ndershmëri, përkushtim dhe drejtësi, duke nënvizuar se qytetit i duhet dashuri, kujdes e angazhim.
“Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por zemra e Kosovës”, u shpreh ai.
Pas ceremonisë së betimit, u krye edhe procesi i dorëzim–pranimit të detyrës, me ç’rast Peci mori zyrtarisht drejtimin e Komunës nga ish-kryetari Bedri Hamza.

















