Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Përditësimi i fundit më November 4th, 2024 në 10:39 pm
Nuk kemi kohë për të humbur. Na pret edhe shumë punë, sepse reformat dhe rruga evropiane janë një proces afatgjatë dhe gjithëpërfshirës. Kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski pasi është publikuar progres-raporti i BE- së për Maqedoninë e Veriut. Si Qeveri punojmë intensivisht dhe me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në të gjitha fushat, nuk ka asnjë devijim nga reformat, tha kreu i qeverisë duke e cilësuar këtë si mënyrën e vetme për ta përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për ta çuar përpara Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Qytetarët janë të lodhur nga i gjithë procesi i anëtarësimit në BE dhe se pa justifikim jemi në dhomën e pritjes, por qëllimi i vetëm strategjik dhe i qëndrueshëm për të ardhmen e të gjithëve mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, është shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.
Në raport-progresin thuhet se Maqedonia e Veriut përfaqëson shembull të mirë për ndërtimin e shoqërisë shumëtnike, por vendi duhet ta fuqizojë besimin në sistemin gjyqësor, ta intensifikojë ritmin e reformave lidhur me Bashkimin Evropian, si dhe ta përmbushë detyrimin e ndërmarrë për kompletimin e ndryshimeve kushtetuese.
Mickovski: Para formimit të qeverisë në Bullgari nuk do të ketë ndryshime në kushtetutë
Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është cunguar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, të bëhen me zbatim të prolonguar. Kryeministri Mickoski thotë se nuk do të ketë iniciativë për ndryshimet kushtetuese me zbatim të prolonguar, para formimit të Qeverisë në Bullgari. “Një veprim i tillë i njëanshëm, do të nënkuptonte një rrezikim të plotë të integrimit tashmë të kërcënuar evropian, për shkak të aventurave të qeverisë së kaluar. Kuptohet se duhet të merret ndonjë sinjal që të bëjmë çfarëdo hapi përpara. Nuk do të futemi në asnjë avanturë”, vlerëson kryeministri Mickovski.
Presidentja e vendit Gordana Siljanovska -Davkova vlerëson se vendi i ka plotësuar kushtet dhe se është momenti i fundit që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, sipas kriterit të Kopenhagës. Sias saj, raportet BE-së ndonjëherë mund të jenë të padrejta. “Nëse keni pasur 16 raporte pozitive, atëherë është në pikëpyetje poashtu edhe kredibiliteti i atij që i shkruan raportet. Nëse keni 16 ‘po’ nga Parlamenti dhe nëse keni 16 ‘po’ nga Komisioni dhe 16 ‘jo’ nga Këshilli, atëherë mendoj se edhe Këshilli duhet të mendoj. Është koha e fundit që ne të fillojmë negociatat, përmes prizmës së kriterit të Kopenhagës”, thotë presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Dvakova.
Draftprogresi për Maqedoninë e Veriut në formë të prerë kërkon nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese , forcimin e shtetit të së drejtës si dhe reformat drejt BE-së. Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht bisedimet me konferencën e parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022 dhe ka përmbyllur vetëm procesin e skriningut. Ndërkohë që së fundmi vendi u shkëput nga Shqipëria në proces negociatash në mungesë të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese./DW

















