Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 janar 2026
Nestlé ka njoftuar tërheqjen globale të disa serive të formulës për foshnje, pasi janë ngritur shqetësime se ato mund të përmbajnë një toksinë që shkakton helmim ushqimor. Sipas kompanisë, disa lote të formulave SMA dhe formulës pasuese nuk janë të sigurta për konsum nga foshnjat.
Produktet e prekura janë shitur në disa vende të botës dhe dyshohet se përmbajnë cereulide, një toksinë që mund të shkaktojë të përziera, të vjella dhe dhimbje stomaku. Nestlé thekson se deri tani nuk ka raportime të konfirmuara për raste sëmundjesh, por tërheqja po bëhet si masë paraprake.
“Siguria dhe mirëqenia e foshnjave janë përparësia jonë absolute”, deklaroi kompania, duke kërkuar ndjesë për shqetësimin e shkaktuar ndaj prindërve dhe kujdestarëve. Tërheqja përfshin produkte të shitura në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Danimarkën dhe Suedinë.
Nestlé sqaroi se të gjitha produktet e tjera dhe seritë që nuk përfshihen në këtë njoftim janë të sigurta për konsum. Klientëve të prekur do t’u ofrohet rimbursim, ndërsa kompania bëri të ditur se problemi lidhet me një përbërës të furnizuar nga një palë e tretë.
Autoritetet ushqimore paralajmëruan se cereulidi nuk shkatërrohet gjatë gatimit apo përgatitjes së qumështit të foshnjave. Prindërit dhe kujdestarët këshillohen të mos u japin fëmijëve produktet e prekura dhe, në rast shqetësimi për shëndetin e foshnjës, të kontaktojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor.
















