Zyra e Kryeministrit: Kurti është i gatshëm për intervistim, Prokuroria nuk ka motiv ligjor por politik

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

28 shkurt 2025

Zyra e Kryeministrit, përmes një shkrese drejtuar Gjykatës Themelore ka kërkuar që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda zyrës së kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se Kurti nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë, por që kërkon që intervistimi të bëhet në zyrën e kryeministrit.

“Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar. Andaj, për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit”, thuhet në shkresën drejtuar Gjykatës Themelore.

Më poshtë njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Në emër të Kryeministrit Kurti, Zyra e Kryeministrit sot i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga Kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore.

Ndër të tjera, aty bëhet e qartë që Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke propozuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Megjithatë Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar. Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë.

Në përgjigjen e sotme, krahas arsyeshmërisë së pozicionit të Kryeministrit, Zyra e Kryeministrit thekson edhe një herë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij.

I nderuari gjyqtar Kurtaj,

Me respekt dhe seriozitetin që i takon një procesi të tillë, në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, Zyra e Kryeministrit dëshiron të shprehë qartë dhe pa ekuivoke pozicionin e Kryeministrit lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale dhe Njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga Kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore.

Ju lutemi për vëmendjen tuaj mbi faktin që Kryeministri i Republikës së Kosovës kurrë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë. Kjo gjë është bërë e qartë përmes letrave të cilat Zyra e Kryeministrit ia ka dërguar Prokurorisë si përgjigje mbi ftesën e tyre për paraqitje.

Scroll to Top