Zjarret, Rama: Sot një tjetër ditë gatishmërie! Situata e përmirësuar falë sakrificave e mundimeve, neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

14 gusht 2025

Në një tjetër reagim, kreu i qeverisë shkruan se sot është një tjetër ditë gatishmërie e lartë kundër zjarreve. Teksa thotë se situata është e përmirësuar, Rama komenton edhe kritikat duke shkruar se ndjen ‘neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin’.

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për zjarret që kanë prekur vendin, me situatën më të rënduar në Delvinë e Gramsh. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se sot është një tjetër ditë gatishmërie e lartë dhe përpjekjesh të përbashkëta për një situatë që tashmë është më e përmirësuar.

Një koment bën edhe për “lehaqeniet”, siç i cilëson ai kritikat e vazhdueshme për mungesën e mjeteve të nevojshme në përballimin e zjarreve. Neveri, shkruan kreu i qeverisë, për “lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre” në një kohë kur edhe vende të tjera të Evropës përballen me vatra të shumta zjarri.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, ka shkruar kryeministri.

Një ditë më parë, kreu i qeverisë bëri një reagim për kritikat se pse nuk blen avionë zjarrfikës, teksa tha se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë nga zjarret nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e tyre.

Situata më e rëndë nga zjarret është shënuar ditët e fundit në Delvinë e Gramsh. Dje, pati ndërhyrje nga ajri e toka. Nga të dhënat paraprake të bashkisë, janë djegur 5 banesa dhe një kishë. Në Gramsh janë 39 banesa të djegura në 6 fshatra, pa llogaritur dëmet në ullishte, pemëtari, e bagëti.  Në Gramsh u shënua edhe viktima e parë e zjarreve, një 80 vjeçar që humbi jetën nga asfiksia e zjarrit që ndezi vetë, flakët e të cilëve më pas morën përmasa të mëdha.

Scroll to Top