Zjarr në Ksamil, flakët afër banesave dhe hoteleve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 qershor 2025

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në Ksamil, duke rrezikuar banesat dhe hotelet në afërsi.

Sipas autoriteteve, flakët janë aktivizuar në orën 19:30 dhe se zjarri ka mobilizuar menjëherë zjarrfikësit, të cilët ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Pjesë e operacionit janë bërë edhe banorë të zonës, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë suksesin e plotë.

Ndërkohë, një tjetër vatër është raportuar në fshatin Çukë, e cila është përhapur me shpejtësi drejt zonës malore të Metoqit. Shkak janë bërë era dhe terreni i thyer.

Për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore në këtë zonë, zjarrfikësit janë detyruar të punojnë me mjete rrethanore.

Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë pamjet e kapura nga dronët “Bayraktar” për të monitoruar situatën në terren.

“Në kuadër të përballimit të situatës së zjarreve në jug të vendit, Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin ajror me dronë, duke garantuar vëzhgim të pandërprerë ditën dhe natën mbi zonat më të rrezikuara nga flakët. Përmes këtij monitorimi të avancuar, Forca Ajrore po kontribuon në mënyrë vendimtare për menaxhimin efikas të situatës emergjente, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, pasuritë dhe mjedisin,” ka shkruar Ministria.

Në 24 orët e fundit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka raportuar gjithsej 8 vatra zjarri, të cilat janë izoluar me sukses. Gjithsesi, autoritetet vijojnë thirrjet për vigjilencë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit thirrjen për qytetarët, të bëjnë kujdes në këto ditë me temperatura të larta dhe të njoftojnë në çdo rast kur vërejnë një vatër zjarri.

Scroll to Top