Zgjedhjet komunale në Kosovë, Lista Serbe në garë për të rimarrë Veriun!

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 shtator 2025

Disa parti dhe iniciativa qytetare në veri zotohen, gjithashtu, se do t’i rishikojnë ose shfuqizojnë vendimet e mëparshme të autoriteteve lokale dhe se çdo vendim i ri do të merret në konsultim me qytetarët.

Ndërsa Lista Serbe e nisi fushatën zgjedhore me një “numërim mbrapsht deri në rënien e kryetarëve të rremë të komunave” në veri të Kosovës, partitë e tjera politike serbe, që garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, e akuzojnë këtë parti si përgjegjëse për gjendjen e vështirë të komunitetit serb.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e vetmja në vend që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – premton se vendimet e autoriteteve aktuale lokale në komunat e veriut të Kosovës do të anulohen.

Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe inicioi tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në prill të vitit 2023.

Kjo çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të komunave, të cilët mbetën në detyrë deri në fund të mandatit, sepse Lista Serbe, edhe në prill të vitit 2024, bëri thirrje për bojkotimin e votimit për shkarkimin e tyre.

Nga ana tjetër, partitë rivale të Listës Serbe kanë premtuar përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve: ndërtim spitalesh, rikthim të transportit hekurudhor, përmirësim të infrastrukturës, si dhe ndarje nga “kriminaliteti politik”.

Analistët, megjithatë, janë kritikë ndaj fushatës. Boban Simiç nga Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, tha për Radion Evropa e Lirë se “pavarësisht numrit të madh të kandidatëve, mungojnë ide të reja”, ndërsa fushatat janë të mbushura me retorikë politike dhe frikësuese.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote mbi 2 milionë qytetarë, prej të cilëve afro 44 mijë janë regjistruar për të votuar nga jashtë. Në të gjithë vendin do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Scroll to Top