Zelensky nënshkruan ujdi me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali për krime lufte

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 qershor 2024

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nënshkroi të mërkurën vonë një marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali të posaçëm që do t’i gjykonte zyrtarë të lartë përgjegjës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Tribunali do t’i ndjekë penalisht “krimet e agresionit” në lidhje me pushtimin dhe mund të gjykojë politikanë të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.

“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se do të ketë drejtësi dhe kjo vlen edhe për Rusinë”, tha Zelensky pas nënshkrimit të marrëveshjes në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

“Do të nevojitet guxim i madh politik dhe ligjor për t’u siguruar se çdo kriminel rus i luftës do të përballet me drejtësinë, përfshirë Putinin”, tha Zelensky në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të marrëveshjes

“Duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë: agresioni çon në ndëshkim. Dhe, këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë”, shtoi ai më vonë në X.

Mandati i tribunalit do të jetë ndjekja penale e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë për krimin e agresionit kundër Ukrainës, tha Këshilli i Evropës.

“Kjo vepër penale i referohet vendimit për të përdorur forcën e armatosur kundër një shteti tjetër duke e shkelur Kartën e OKB-së”, tha këshilli.

Scroll to Top