Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
13 nentor 2025
Një zbulim i jashtëzakonshëm astronomik mund të ndryshojë mënyrën se si shkenca kupton jetën në univers. Për herë të parë, shkencëtarët kanë vëzhguar një shpërthim gjigant energjie nga një yll përtej Sistemit Diellor, një ngjarje që mund të zhveshë atmosferën e planetëve të afërt dhe të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë për jetë.
Fenomeni, i njohur si nxjerrje koronale e masës (CME), u zbulua përmes observatorit hapësinor XMM-Newton të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe teleskopit radio LOFAR, që përfshin stacione në tetë vende evropiane. Studimi, i publikuar në revistën Nature, shënon rastin e parë kur një shpërthim i tillë është vëzhguar drejtpërdrejt në një yll tjetër përveç Diellit.
Sipas kërkuesve, shpërthimi erdhi nga një xhuxh i kuq – një yll shumë më i vogël, më i ftohtë dhe më magnetik se Dielli ynë – i vendosur rreth 40 vite dritë larg Tokës. Këto yje janë më të zakonshmet në galaktikë dhe shumë prej planetëve të zbuluar deri më sot rrotullohen rreth tyre.
Shpërthimi u përshkrua si jashtëzakonisht i fuqishëm, me material plazme që u hodh në hapësirë me shpejtësi rreth 2,400 kilometra në sekondë – një forcë që, sipas shkencëtarëve, mund të zhveshë plotësisht atmosferën e çdo planeti në rrugën e tij.
“Kjo punë hap një kufi të ri në vëzhgimin e shpërthimeve yjore dhe të motit hapësinor përtej Diellit tonë,” tha Henrik Eklund nga Qendra Evropiane e Kërkimeve Hapësinore në Holandë.
Ekspertët thonë se yjet më të vegjël mund të prodhojnë moti hapësinor shumë më intensiv se Dielli, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekzistencën e atmosferave planetare dhe në aftësinë e tyre për të mbështetur jetë.
Për të konfirmuar natyrën e shpërthimit, ekipi përdori të dhëna të kombinuara nga LOFAR dhe XMM-Newton, duke analizuar valët radio, ndriçimin dhe rrezet X të yllit. “Asnjë teleskop i vetëm nuk do të kishte mjaftuar — na duheshin të dy,” shpjegoi David Konijn, bashkautor i studimit.
Shkencëtarët besojnë se këto gjetje do të kenë ndikim të madh në kërkimin e botëve të banueshme. Deri tani, studiuesit e kanë vlerësuar potencialin për jetë kryesisht në bazë të distancës së planetit nga ylli i tij — në të ashtuquajturën “zonë të banueshme”. Por, siç theksojnë ata, aktiviteti i dhunshëm yjor mund të shkatërrojë atmosferën e një planeti edhe nëse ai ndodhet në zonën e duhur.
Ky zbulim, sipas ESA-s, hap një kapitull të ri në studimin e yjeve dhe motit hapësinor, duke treguar se proceset e dhunshme që formuan Diellin dhe Tokën janë aktive edhe në pjesë të tjera të galaktikës.

















