Wesley Clark sot pritet të dëshmoj përballë Hagës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 nentor 2025

Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, pritet të nisë sot dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Seanca do të hapet me pyetje rreth karrierës së tij të gjatë ushtarake, nga shërbimet para gradës së gjeneralit me katër yje e deri te roli si komandant i forcave evropiane të NATO-s. Më pas, Clark do të paraqesë dijen e tij mbi zhvillimet e luftës së fundit në Kosovë.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, tema e parë që do të shtrohet për Clarkun lidhet me përpjekjet e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor 1998, si dhe me interpretimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Dëshmia e tij pritet të prekë gjithashtu fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve jugosllave, operacion që hapi rrugën drejt lirisë së Kosovës. Mbrojtja pritet ta pyesë Clarkun edhe për procesin e demilitarizimit në vitin 1999, hyrjen e KFOR-it dhe detyrat e atëhershme të Hashim Thaçit dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas Dhomave të Specializuara në Hagë, dëshmia e Clarkut do të nisë në mesditë.

Scroll to Top