Vuçiqi manipulon me serbët e Kosovës, premton qindra vende pune përmes institucioneve ilegale

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 tetor 2025

Aparati shtetëror serb asnjëherë nuk ka hequr dorë për t’i manipuluar qytetarët serbë në Kosovë.

Kjo shfaqet hapur sërish tash edhe në një intervistë të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili përmes institucioneve paralele tenton të ndërhyjë në zgjedhjet lokale të Kosovës që do të mbahen të dielën e 12 tetorit.

E krejt kjo po bëhet për interesa të partisë që dirigjohet nga Beogradi, pra Listës Serbe.

Vuçiqi ka deklaruar haptazi që do të hapin 400 vende të reja pune.

Ai nuk e la pa përmendur edhe planin e tij që kishte për ta futur ushtrinë e saj në Kosovë.

“Duhet ta ruajmë paqen dhe se do të jetë shumë e vështirë për shkak të Albin Kurtit dhe ligjit të tij për të huajt. Do të jemi me serbët në Kosovë dhe do të hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor të Kosovës në dhjetë ditët e ardhshme. Kam kërkuar të paktën 6 herë me firmën time që ushtria jonë të kthehet në Kosovë. Është e qartë se ata që mbrojnë fëmijën e tyre nuk do të lejojnë që asgjë të ndryshojë. Do të kërkojmë përsëri një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk besoj se do të ndryshojë shumë, por ajo që kemi për të thënë do të dëgjohet. Kurti dëshiron që ne të biem në kurthin para konfliktit botëror”.

Ai kujton bisedën e tij treorëshe me presidentin rus Vladimir Putin në Soçi dhe thotë se nuk e përmendi Ukrainën deri pas dy orësh nga pyetja e tij.

“Ai ishte mikpritës dhe bëri një përpjekje për të treguar respekt ndaj një vendi të vogël. Dola dhe u thashë Tanja Joviqit dhe Suzana Vasiljeviqit se do të kemi luftë pas tre muajsh. Shkuam në Pekin për hapjen e Lojërave Olimpike, e pyes Dudën, kinezët… Ata nuk besuan… Vetëm Sheikh Muhamedi tha se lufta do të jetë më 1 qershor dhe unë thashë se do të jetë më 1 mars. E humba kushtin se nuk ia qëllova për 7 ditë”, tha Vuçiqi .

Scroll to Top