Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 teror 2025
Mediat kanadeze raportojnë detaje të tjera nga vrasja e 29-vjeçares me origjinë shqiptare, Savannah Kulla.
Autori i ngjarjes Anthony Deschepper kishte qenë më parë në një lidhje me Savannah.
“Ata ishin ndarë prej disa muajsh dhe kishin një vajzë njëvjeçare, e cila ndodhej në vendngjarje në momentin e incidentit”, tha kryetari i bashkisë së Bramptonit, Patrick Brown, gjatë një konference për shtyp të enjten pasdite.
Deschepper, 38 vjeç, vdiq pas një përplasje me policinë në Niagara Falls më 22 tetor. Ai po përballej gjithashtu me akuza për mbajtjen e armëve të zjarrit që datonin nga shtatori 2023, “ku viktimë ishte Savannah Kulla”, shtoi Brown.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga CTV News Toronto konfirmojnë se dy vite më parë Deschepper “kishte qëlluar me armë zjarri duke vepruar në mënyrë të pakujdesshme ndaj jetës së Savannah Rose Kulla Davies.”
Mediat kanadeze raportojnë se ai kishte gjithashtu ndalime të mëparshme për armë zjarri që datonin nga vitet 2006 dhe 2019, sipas dokumenteve.
Deschepper kishte shmangur policinë për një muaj pasi dyshohej se kishte qëlluar me armë në shtëpinë e Kullës, përpara se të arrestohej nga policia e Waterloo.

















