Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 shkurt 2026
Mjeku dhe specialisti i Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka shkruar për virusin e njohur si “Nipah” që është përhapur në Indi.
Ramadani, paralajmëron se virusi Nipah ka shkaktuar shqetësim në nivel ndërkombëtar për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë, që në shpërthimet e kaluara ka qenë midis 40% dhe 75%.
Ai thekson se, megjithëse virusi është i rrallë, qytetarët duhet të jenë të informuar për të parandaluar dezinformimin dhe panikun e panevojshëm. Ai shpjegon se:
“Nipah mund të transmetohet nga kafshët tek njerëzit. Burimi kryesor janë lakuriqët e frutave (Familja Pteropodidae), të cilët nuk gjenden në Shqipëri dhe Kosovë. Lakuriqët lokalë, si hundëpatkua i vogël (Rhinolophus hipposideros), ushqehen me insekte dhe nuk përbëjnë rrezik. Aktualisht, virusi nuk transmetohet përmes ajrit.” , thekson Ramadani.
Simptomat kryesore sipas Ramadanit: ethe, dhimbje koke, konfuzion, vështirësi në frymëmarrje, lodhje, marramendje, të vjella dhe diarre. Në rastet më të rënda, mund të shkaktojë encefalit dhe vdekje, ndërsa rreth 20% e të mbijetuarve mund të kenë pasoja neurologjike afatgjata.
Diagnostikimi dhe trajtimi: RT-PCR dhe testet e antitrupave (ELISA) janë standardi, ndërsa nuk ekziston terapi apo vaksinë e miratuar. Trajtimi mbështetës përfshin oksigjenim, hidratim dhe kujdes për funksionet e trupit.
Ai sugjeroi dhe këshilloi për qytetarët disa masa parandaluese ndaj virusit në fjalë.
“Mos konsumoni fruta ose lëngje të ndikuara nga lakuriqët. Përdorni doreza dhe mbrojtje kur trajtoni kafshët e sëmura. Shmangni kontaktin e afërt me njerëzit e sëmurë dhe ruani higjienën e duarve. Në spitale: izolimi i pacientëve dhe përdorimi i maskave, dorezave, mantilave dhe syzeve mbrojtëse.” , këshillon Ramadani.
Sipas tij rreziku aktual për Evropën, Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë është shumë i ulët, pasi shpërthimet e Nipah janë të kufizuara kryesisht në disa zona të Azisë, theksoi specialisti i shëndetësisë publike.

















