Për BDI-në vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të dëgjojë mendime nga ekspertët lidhur me ligjin për përdorimin e gjuhëve është papranueshëm. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se nismat duhet të hidhen poshtë dhe të mbyllet kapitulli.
“Me rëndësi për ne është që sot përderisa janë etnikisht të pastër aty, kanë përgjegjësinë morale përpara komunitetit maqedonas, që në këtë seancë të hedhin poshtë që të 13 iniciativat dhe përfundimisht të mbyllet ky kapitull dhe të mos lihen gjërat të hapura”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër koalicioni VLEN është i kënaqur me epilogun e sotëm në Kushtetuese. VLEN thotë se do ta mbrojë shqipen deri në fund.
“Atë që kemi thënë javë më parë, sot u konfirmua. Sot nuk ndodhi asgjë dhe asnjëherë nuk do të lejojmë degradimin e gjuhës shqipe. Sot triumfoi faktorizimi i VLEN-it, si pjesë e kësaj qeverie demokratike. Kur ne thamë që shqipja nuk do të preket kështu edhe ndodhi. Ne sot nga këtu e themi se shqipja do të avancohet edhe më shumë edhe më mirë”, u shpreh Rijad Shaqiri – VLEN.
Nga VMRO-DPMNE shprehen se edhe BDI-ja e ka ditur se asgjë nuk do të ndodhë.
“BDI përsëri u mposht. Erdhi i 11-ti dhe asgjë nuk ndodhi. Edhe BDI e dinte se asgjë nuk do të ndodhë, sepse ashtu janë procedurat gjyqësore. BDI qëllimisht krijon atmosferë të vazhdueshme të tensioneve etnike. Këtë e bëjnë kur duhet të përballen me sfida dhe me probleme për shkak krimit, e në këtë mënyrë duan ta tërheqin vëmendjen”, theksoi Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në vitin 2018, ndërsa në fuqi hyri në vitin 2019. Nismat në kushtetuese kontestojnë pothuajse tërë ligjin, përveç nenit 1 që ka të bëjë me gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. / Alsat.mk