Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 janar 2026
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e përkohshëm të përpunimit të vizave të emigracionit për qytetarët shqiptarë. Përmes një videomesazhi në Facebook, ajo theksoi se lëvizja dhe udhëtimi i shqiptarëve drejt SHBA-së nuk janë bllokuar.
Sipas Spiropalit, vendimi është pjesë e politikës së re të imigracionit të SHBA-së dhe nuk përbën një masë të drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë. Ajo hodhi poshtë pretendimet se vendi ynë është futur në një “listë të zezë”, duke i cilësuar ato si spekulime apo trille politike.
Ministrja sqaroi se vizat për turizëm, studime, biznes dhe vizita familjare vijojnë normalisht, ndërsa ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me rregullat e qëndrimit, në përputhje me politikat e reja amerikane. Ajo theksoi se askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-së.
Spiropali nënvizoi se masa përfshin 75 shtete, përfshirë edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor, dhe synon të forcojë kontrollin ndaj abuzimeve me sistemin amerikan të migracionit. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se përpunimi i vizave të emigracionit do të pezullohet deri në përfundimin e një rishikimi zyrtar.
Në përfundim, ministrja theksoi se Shqipëria mbetet një aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të forta dhe të qëndrueshme.

















