Veliaj, kurban i bosit, jo i ‘Qerosit’

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

03 mars 2025

Ata që shumëfishojnë goditjet e Erionit ndaj një prokurori të veçantë, më shumë se çmontimin e një procesi, qajnë paratë e gatshme që prisnin t’i shumëfishonin në ditët e fushatës.

Eshtë e habitshme se si sjellja publike e Erjon Velisë pas arrestimit, përbën sintezën perfekte të të gjithë karrierës së tij politike. E vogël dhe e varfër, pa bosht dhe pa qëndrim, e mbështetur në cicmice dhe jo në argumenta të fortë. E kompleksuar nga hija e padronit dhe nga frika e të qenit pa pushtet, mbrojtja që Velija po i bën vetes duket po aq e mjerë sa i gjithë rrugëtimi i tij në politikë. Në një aspekt, duke lënë mënjanë se çfarë ai përfaqëson, deformimi i qënies njerëzore shkakton keqardhje.

Kryetari në detyrë i Bashkisë, në procesin kundër tij, ka tentuar të tregojë dhëmbët, të cilat nuk arritën të kafshojnë kurrë, por në pamundësi e pafuqi për t’u marrë me sistemin e “drejtësisë së re”, ka zgjedhur të bëjë target një prokuror të vetëm. Që këtu, beteja e tij bëhet e meskine, e pavlerë dhe e pavërtetë. Erjon Veliaj, i njohur për dinjitetin e tij, na qenka fyer rëndë nga fjalori i prokurorit Olsi Dado në sallën e gjyqit dhe ky serviret si argument për një proces të padrejtë. Pastaj zgjedh të merret me kafkën e prokurorit, pasionin e tij për violinën, notat në shkollë e shokët në jetë, duke e vënë veten në rolin banal të garipit të munguar, në vend se procesin ndaj tij ta ngrejë në nivelin e përplasjes me padrejtësinë e pretenduar të sistemit.

Kjo rrugë që ka zgjedhur apo ia kanë sugjeruar, është mbrojtja më e keqe që Veliaj mund t’i bëjë vetes. Sepse edhe në momentet vendimtare të karrierës por edhe jetës personale të tij, ai po dëshmohet i pavërtetë. Veliaj flet për Olsi Dadon por nuk guxon të përmendë Altin Dumanin, përmend prokurorët, por jo prokurorinë. Por a është burgosja e tij vullneti i një burri të vetëm? Veliaj bëhet i pabesueshëm edhe kur procesin ndaj tij e krahason me metodat e sigurimit të shtetit, ndërkohë që pak kohë më parë i kishte vlerësuar maksimalisht “kolegët e SPAK” dhe u kishte premtuar bashkëpunim të plotë, aq shumë ishte impresionuar nga profesionalizmi i tyre. 

Ish delfini i Ramës, nga forca e të propaganduarit për vite me radhë ka humbur aftësinë e të qenit real. Ai po sillet përsëri sikur është përpara kamerave dhe sikur versioni që do t’i shesë publikut është ai që do të montohet nga njerëzit e tij, ndërkohë që në jetën reale rrezikon vite të tëra dënim nëse akuzat e SPAK mbeten në fuqi. Kjo nuk është një kronikë e gatshme televizive. Në vend të përsiatjeve Ols Kafka apo Ols Violina, Veliaj do duhej të merrej një për një me akuzat ndaj tij, të bënte betejë me procesin dhe jo me procesuesin. Të përpiqej që të paktën një herë në jetë të shkonte tek thelbi i problemit dhe jo tek efektet mediatike. 

Scroll to Top