Veliaj kundër “kafazit të xhamit”: Kryebashkiaku kërkon dinjitet dhe qasje të plotë në dosje

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

02 dhjetor 2025

Nga paraburgimi në debat me drejtësinë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit sot në GJKKO për të kërkuar të drejtat e tij elementare në procesin penal, duke sfiduar vendosjen e tij në “kafazin e xhamit” dhe kufizimet mbi qasjen në dosjen që numëron rreth 60.000 faqe.

Veliaj ka kërkuar ose pajisje teknologjike për të studiuar dosjen nga paraburgimi, ose leje për të shkuar çdo ditë në gjykatë për të njohur provat, kërkesa e cila iu refuzua nga gjykata. Ai u shpreh se qëndrimi në këtë “kafaz metalik” përbën një trajtim degradues dhe cenon të drejtën e tij për mbrojtje efektive, duke shkelur standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Veliaj theksoi se kërkesat e tij nuk burojnë nga pozita publike, por nga atributi i thjeshtë i qytetarit shqiptar: dinjitet, prezumim pafajësie dhe mundësi reale për t’u njohur me akuzën dhe për të përgatitur mbrojtjen. Ai kërkoi gjithashtu shtyrjen e procedurës deri në përmbushjen e këtyre të drejtave elementare.

Në fjalimin e tij para gjykatës, kryebashkiaku theksoi se procesi nuk mund të vazhdojë duke i mohuar qytetarit qasje në të gjitha materialet, duke e kthyer procedurën në një formalitet ku volumi i dokumenteve zëvendëson dijeninë dhe mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.

Veliaj u bëri thirrje gjykatës për respektimin e standardeve evropiane dhe shmangien e çdo praktike që krijon perceptimin e rrezikshmërisë ose kriminalizimit të tij, duke insistuar se drejtësia nuk ndërtohet mbi “kafaze” dhe paragjykime.

Scroll to Top