Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 shtator 2025
Sot u nda nga jeta e aktori, shkrimtari dhe regjisori i madh kosovar, Enver Petrovci, në moshën 71-vjeçare. Lajmin e hidhur e konfirmuan familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një publikimi shprehën pikëllimin për humbjen e njeriut të dashur dhe të një personaliteti që la gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar.
“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, thuhej në njoftimin e afërmve.
Një jetë kushtuar artit
Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Pas shkollimit fillestar në vendlindje, ai vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega e aktrimit, ndërsa më vonë u diplomua në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Qysh në hapat e parë të karrierës, ai u shqua si një talent i rrallë, duke interpretuar role të fuqishme si në teatër, ashtu edhe në kinematografi. Petrovci nuk ishte vetëm një aktor i spikatur, por edhe një regjisor dhe shkrimtar i angazhuar, i cili krijoi vepra të shumta që mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Petrovci ishte ndër themeluesit e Degës së Aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku për shumë vite kontribuoi në formimin e brezave të rinj të aktorëve. Ai njihej për interpretimet e tij të pasura, ku rolet klasike dhe moderne i jepte me një thellësi dhe emocion që rrallë gjendej në skenën shqiptare.
Në kinematografi dhe televizon, ai la gjurmë me interpretimet që preknin zemrat e publikut. Përveç punës si aktor, ai u angazhua edhe si regjisor, duke sjellë vepra artistike që u mirëpritën nga kritika dhe dashamirësit e artit.

















