Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
06 janar 2026
Eva Schloss, e mbijetuar e Holokaustit që në adoleshencë dhe më pas njerka e Anne Frank, si dhe një zë i palodhur kundër paragjykimeve, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Lajmi u bë i ditur të dielën nga fondacioni i saj.
“Eva ishte një grua e jashtëzakonshme: e mbijetuar e Aushvicit, edukatore e përkushtuar e Holokaustit dhe e palodhur në punën për kujtesë, mirëkuptim dhe paqe”, thuhet në deklaratën e Anne Frank Trust UK, organizatë që ajo bashkëthemeloi.
Ndikimi i saj ishte i tillë sa mes atyre që i bënë homazhe ishte edhe Mbreti Charles III i Britanisë së Madhe.
“Unë dhe bashkëshortja ime jemi thellësisht të pikëlluar nga ndarja nga jeta e Eva Schloss,” thuhet në deklaratën zyrtare. “Vuajtjet që ajo përjetoi në rininë e saj janë të paimagjinueshme, por pavarësisht kësaj, ajo ia kushtoi jetën luftës kundër urrejtjes dhe paragjykimeve, duke përçuar mesazhe të mirësisë, guximit, mirëkuptimit dhe qëndrueshmërisë.”
Eva Schloss, e lindur në vitin 1929 në Vjenë të Austrisë, vetëm një muaj para Anne Frank, u detyrua të largohej me familjen e saj drejt Amsterdamit për t’i shpëtuar regjimit nazist. Atje, familjet Schloss dhe Frank u njohën, ndërsa Eva dhe Anne, edhe pse ndonjëherë luanin bashkë, nuk kishin një miqësi të ngushtë, sipas vetë dëshmisë së saj.
Në vitin 1942, familja e Eva Schloss u fsheh, në të njëjtën ditë me familjen Frank, duke qëndruar në ilegalitet për dy vjet. Në vitin 1944 ata u zbuluan dhe u deportuan në kampin famëkeq të përqendrimit Aushvic, ku babai i saj, Erich Geiringer, dhe vëllai i madh, Heinz, humbën jetën. Eva dhe nëna e saj, Fritzi, ishin të vetmet të mbijetuara të familjes.
Pas përfundimit të luftës, Fritzi Geiringer u ritakua me Otto Frank, babain e Anne Frank, i cili kishte humbur bashkëshorten dhe dy vajzat në Holokaust. Dyshja u martua më pas, duke e bërë Eva Schloss njerkën pas vdekjes të Anne Frank.
Më vonë, Eva Schloss u vendos në Londër, ku krijoi familje dhe pati tri vajza. Ajo nisi të fliste publikisht për përvojën e saj në Aushvic vetëm në fund të viteve ’80, pas hapjes së një ekspozite kushtuar Anne Frank në Londër, kur kuptoi se bota nuk kishte nxjerrë mësimet e duhura nga tragjeditë e së kaluarës.
Që nga ajo periudhë, Schloss ia kushtoi jetën edukimit mbi Holokaustin, duke ligjëruar në shkolla dhe universitete, duke shkruar libra autobiografikë dhe duke bashkëthemeluar në vitin 1991 organizatën Anne Frank Trust UK, e cila synon të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi rreziqet e antisemitizmit, racizmit dhe intolerancës.

















