Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 qerdshor 2025
Ushtria izraelite kreu sulm ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në rajonin Al-Mawasi në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite ka goditur sërish civilët palestinezë në Rripin e Gazës, që ndodhet nën sulme të vazhdueshme që nga 7 tetori 2023, raporton Anadolu Agency. Sulmi i fundit ka ndodhur në rajonin Al-Mawasi, në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës, ku u shënjestruan tendat e palestinezëve të zhvendosur.
Sipas raportimeve, nga ky sulm kanë mbetur të plagosur shumë persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Të lënduarit janë dërguar në spitalin “Naser” për trajtim mjekësor. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fëmijë të plagosur që mbërrijnë në spital me autoambulanca dhe automjete private, ndërsa dëgjohen të qara e thirrje ndihme nga më të vegjlit.
Që nga 18 marsi, ushtria izraelite ka intensifikuar ofensivën, duke shkelur armëpushimin e shpallur më 19 janar. Si pasojë, të paktën 4.701 palestinezë janë vrarë dhe mbi 14.800 janë plagosur. Ndërkohë, që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, numri i të vrarëve palestinezë ka arritur në 54.981, ndërsa mbi 126.920 persona janë plagosur.
Raportet shtojnë se ende ka mijëra trupa nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, ndërsa situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet dita-ditës.