Ushtria europiane brenda Ukrainës? Meloni përplaset me Macron para takimit me Trump: Rusia me 1.3 milionë ushtarë, ne sa do dërgojmë?

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

18 gusht 2025

Kryeministrja italiane shpjegoi dje para “koalicionit të të vullnetshmëve” se tani është e nevojshme të mbështeten përpjekjet e presidentit amerikan: “Ta sulmosh do të thotë të prishësh gjithçka”.

Dhe për takimin Trump- Putin- Zelensky ajo këmbëngul për kandidaturën e Romës, ndërsa Macron synon Gjenevën.

Fillimisht ajo ndaloi në Romë, për t’u lidhur me videokonferencën e “të Vullnetshmëve” dhe për të përcaktuar një linjë të përbashkët që do të paraqitet sot në Shtëpinë e Bardhë, kur liderët kryesorë europianë, presidentja e BE-së von der Leyen dhe kreu i NATO-s Rutte do të takojnë Trump dhe Zelensky. Më pas në mbrëmje Giorgia Meloni — gjithmonë me telefonin në dorë — u drejtua për në Washington.

Askush nuk mund të parashikojë nëse do të bëhet një hap i vërtetë përpara. Sigurisht që synimi është të mos përsëritet skena e para gjashtë muajve, kur Trump i dha disa “shuplaka” Zelenskit para kamerave, në një përplasje epike. Aq sa, sipas rrëfimeve, nyja kryesore e bisedimeve të djeshme mes liderëve ishte pikërisht formati i deklaratave për shtyp.

Në Shtëpinë e Bardhë kishin menduar për komunikime të shkurtra të Trump dhe Zelenskyt në Zyrën Ovale menjëherë pas takimit kokë më kokë. Por rreziku — siç shpjegoi Meloni te aleatët — është që gjithçka të shndërrohet në një shfaqje personale të Trump, që do të linte Zelenskyn dhe liderët e tjerë pa zë, ose në një mbivendosje të rrezikshme zërash dhe pozicionesh.

Prandaj po ushtrohet presion i fortë mbi Trump që të pranojë një model më institucional, si në Alaskë: deklarata të dy presidentëve pa pyetje, në fund të ditës.

Do të shihet nëse Trump do të bindet. Sigurisht, siç u thotë të vetëve Meloni, për momentin nuk mbetet gjë tjetër veçse të shoqërohen përpjekjet e tij me durim dhe këmbëngulje, pa e sulmuar, edhe kur kjo bëhet e vështirë për shkak të toneve shumë miqësore që ka përdorur me Putinin.

Por, siç ua tha edhe liderëve të tjerë dje, rreziku është që Trump, nëse sulmohet, të prishë gjithçka dhe të thotë se Ukraina nuk do paqen, Europa nuk bashkëpunon, dhe atëherë amerikanët të bien dakord drejtpërdrejt me rusët. Një katastrofë, që do ta linte Europën jashtë loje. Prandaj, punohet “me fijen që ke”.

Me çfarë pozicioni shkon Italia në Washington? Meloni nuk u jep shumë rëndësi telekonferencave ku marrin pjesë shumë shtete pa arritur në ndonjë përfundim, përveç, siç komentojnë njerëzit e saj, se i bëjnë qejfin Macron që kërkon të tregojë “se është ai lideri i vërtetë i Europës”.

Në një shënim, Meloni shkruan se gjatë diskutimit “u theksua rëndësia e vazhdimit të punës me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një paqe që të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, e cila duhet të përfshihet në çdo vendim”. Për më tepër, “diskutimi konfirmoi nevojën për të ruajtur presionin kolektiv mbi Rusinë dhe për garanci të forta e të besueshme sigurie”.

Fjalë, sigurisht, më të përgjithshme nga ato që liderët shkëmbyen në bisedimet më të ngushta. Pika kyçe, për kryeministren — që e ka diskutuar edhe me Zelenskyn — është t’i sigurohet Ukrainës se nuk do të mbetet vetëm në të ardhmen. Dhe që, sipas planit “të shpikur prej nesh”, siç përsërit ajo, të zgjerohet zbatimi i nenit 5 të NATO-s, në mënyrë që nëse Ukraina do të sulmohej, të mbrohej nga Aleanca, edhe pse formalisht nuk është anëtare.

Scroll to Top