Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 dhejtor 2025
Revista prestigjioze amerikane Forbes ka publikuar listën e 100 grave më të fuqishme për vitin 2025, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, renditet në vendin e parë. Sipas bordit editorial, von der Leyen vlerësohet për rolin e saj vendimtar si gruaja e parë që drejton Komisionin Evropian dhe për ndikimin e legjislacionit që ajo udhëheq mbi më shumë se 450 milionë qytetarë të BE-së.
Në vendin e dytë qëndron presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ndërsa e treta renditet kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi – e para grua që mban këtë post historik në vend.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pozicionohet e katërta, e ndjekur nga presidentja e Meksikës, Claudia Scheinbaum, që mban vendin e pestë. Ndër dhjetëshen e parë përfshihen edhe CEO e General Motors, Mary Barra, si dhe CEO e “Citi”, Jane Fraser.
Lista e Forbes përfshin figura të rëndësishme nga fusha të ndryshme, si nënkryetarja ekzekutive dhe drejtoresha financiare e Microsoft, Amy Hood; drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva; presidentja dhe drejtoresha operative e SpaceX, Gwynne Shotwell; këngëtarja Taylor Swift; si dhe ministrja indiane e financave, Nirmala Sitharaman.
Në listë renditen gjithashtu personalitete të njohura si Oprah Winfrey, bashkëkryetarja e Disney-t Dana Walden, ministrja britanike e financave Rachel Reeves, CEO e JD.com Sandy Ran Su, presidentja e Bursës së Nju Jorkut Lynn Martin, CEO e Vodafone Margherita Della Valle, dhe drejtuesja e përmbajtjes së Netflix, Bela Bajaria.
Mes emrave të tjerë janë CEO e Fox News, Suzanne Scott, drejtoresha financiare e Deutsche Post Group Melanie Kreis, figura publike Kim Kardashian, kryeministrja e Kongos Judith Suminwa Tuluka, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe ajo e Barbadosit Mia Mottley.
Interesant është fakti se vendi i fundit në listë i është dhënë heroinave të serialit të animuar “KPop Demon Hunters”, i cili u shndërrua në një nga produksionet më të ndjekura në historinë e Netflix, me mbi 325 milionë shikime deri në dhjetor 2025.
Kjo është hera e 22-të që Forbes publikon listën, e cila hartohet bazuar në katër kritere kryesore: financat, prania në media, ndikimi dhe sfera e ndikimit global. Këtë vit, 17 gra janë përfshirë për herë të parë.

















