Ulet intensiteti i zjarrit në Fushë-Arrëz, banesat jashtë rrezikut nga flakët

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 gusht 2025

Gjatë ditës së sotme, në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, situata e zjarrit në fshatin Xath është paraqitur më e qetë, krahasuar me intensitetin e ditëve të mëparshme.

Aktualisht banesat janë jashtë rreziku, ndërsa në terren vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve.

Forcat e angazhuara janë: 50 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së me 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 bota uji, 18 inspektorë të shërbimit pyjor, 30 persona nga administrata, shërbimet dhe njësitë administrative Blerim dhe Qafë-Mali.

Operacioni po zhvillohet me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të AKMC-së, duke synuar vendosjen nën kontroll dhe shuarjen e çdo vatre aktive. Sot, falë punës së koordinuar, situata është në përmirësim dhe shpresojmë të arrihet izolimi i plotë brenda një kohe të shkurtër.

Në territorin e Bashkisë Shkodër, një vatër zjarri vijon aktive në fshatin Ura e Shtrejt, në lartësi të malit. Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat në terren.

Bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Pukë nuk raportojnë probleme aktualisht.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.

Scroll to Top