Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
13 qershor 2025
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Gjeneral Brigade Effie Defrin, ka raportuar se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit.
Gjenerali Defrin shton se shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, komandanti i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit dhe komandanti i komandës së emergjencës së Iranit u vranë gjatë sulmeve.
Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se Hossein Salami, shefi i Gardës Revolucionare, ka humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Ndërkohë në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Sulmi vjen vetëm dy ditë para raundit të gjashtë të bisedimeve Iran-SHBA, të cilat ishin planifikuar për këtë të diel në Muscat. Është e paqartë nëse bisedimet do të vazhdojnë.
Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur “dhjetëra objektiva ushtarake, duke përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit”.
Midis vendeve të goditura është edhe impianti kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran në Natanz, në qendër të vendit.
Natanz operon mijëra centrifuga të përparuara, pajisje të përdorura për pasurimin e gazit të uraniumit, të cilat janë të vendosura dhjetëra metra nën tokë për mbrojtje. Në këtë pikë është e paqartë se sa thellë arriti sulmi i Izraelit.
Gazeta New York Times raporton se të paktën gjashtë baza ushtarake rreth Teheranit, si dhe shtëpitë e komandantëve ushtarakë dhe ndërtesa të shumta banimi janë goditur gjithashtu, duke cituar zyrtarë të lartë iranianë.
Televizioni shtetëror iranian ka konfirmuar se krerët e forcave të armatosura të Iranit janë vrarë. Ata janë Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike – forca ushtarake më elitare e Iranit – dhe Gjeneral Major Mohammad Bagheri, komandant i përgjithshëm i ushtrisë iraniane dhe i IRGC-së.
Të paktën dy shkencëtarë bërthamorë, Fereydoon Abbasi, ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, dhe Mohammad Mehdi Tehranchi, presidenti i Universitetit Islamik Azad në Teheran, janë vrarë gjithashtu, sipas televizionit shtetëror iranian
5 figurat kyçe iraniane që u vranë në sulmin izraelit! Mes tyre edhe shefi i Gardës Revolucionare Islamike
Në operacionin “Luani ngrihet”, për të cilin tha se kishte për qëllim të pengonte programin bërthamor të Iranit, raportohet se janë vrarë figura të larta ushtarake iraniane dhe shkencëtarë bërthamorë. BBC, duke cituar mediat shtetërore iraniane, raporton se bëhet fjalë për:
– Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike.
– Gholamali Rashid, komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya.
– Fereydoon Abbasi, shkencëtar bërthamor dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.
Mohammad Mahdi Tehranchi, një tjetër shkencëtar bërthamor i përfshirë në programin e armëve bërthamore të Iranit.
– Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.
Ndërkohë, Ali Shamkhani, këshilltari i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është plagosur rëndë, sipas raportimeve iraniane.