Turqia sërish nikoqire e Superkupës së Kosovës, Drita dhe Prishtina në duel

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

17 dhjetor 2025

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se ndeshja e Superkupës së Kosovës do të zhvillohet më 25 janar 2026, ditë e diel, me fillim nga ora 14:30 sipas kohës lokale në Turqi (12:30 sipas kohës së Kosovës).

Takimi do të luhet në stadiumin “Mardan Palace” në Antalia dhe do të përballë FC Dritën, kampione e Kosovës, me FC Prishtinën, fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25.

Sipas FFK-së, vendimi për zhvillimin e Superkupës në Turqi është marrë duke pasur parasysh faktin se të dyja skuadrat do të zhvillojnë përgatitjet dimërore në Antalia, në periudhën 15–30 janar 2026. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka vendosur që ndeshja të luhet gjatë kësaj faze përgatitore, në përputhje me agjendat e klubeve dhe për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për zhvillimin e takimit.

Superkupa e Kosovës pritet të jetë një duel interesant mes dy prej skuadrave më të suksesshme të futbollit kosovar dhe të hapë zyrtarisht garat për vitin 2026.

Scroll to Top