“Turistët me snajperë”; Prokurorët italianë nisin hetime ndaj një 80-vjeçari

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

05 shkurt 2026

Prokurorët në Itali kanë vënë nën hetim një burrë në kuadër të një hetimi mbi të ashtuquajturin “turizëm me snajperë” gjatë rrethimit të Sarajevës në luftën e Bosnjës (1992–1995), raportoi agjencia Reuters.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, i dyshuari është një ish-shofer kamioni 80-vjeçar, i cili jeton pranë qytetit Pordenone në veri të Italisë. Ai është personi i parë i identifikuar në këtë hetim, i cili u hap vitin e kaluar pas dyshimeve se shtetas të huaj, përfshirë italianë, kishin udhëtuar në Bosnje dhe kishin paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Skema është përshkruar si një praktikë makabre dhe është quajtur “safari snajperësh”, në analogji me ekspeditat për gjuetinë e kafshëve të egra.

Reuters bën të ditur se i dyshuari, emri i të cilit nuk është bërë publik, përballet me disa akuza për vrasje me paramendim. Megjithatë, burimet nuk sqaruan nëse ai dyshohet se ka kryer drejtpërdrejt vrasje apo ka ndihmuar me transport dhe logjistikë për personat e përfshirë. Aktualisht, burri ndodhet i lirë dhe është thirrur nga prokuroria për t’u marrë në pyetje më 9 shkurt.

Gjatë luftës së viteve 1992–1995, rreth 11 mijë civilë u vranë nga granatimet dhe zjarri i snajperëve nga pozicionet e ushtrisë serbe të Bosnjës në kodrat përreth Sarajevës.

“Qitës turistësh”

Hetimi i prokurorëve të Milanos për këtë skemë u hap pasi gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni paraqiti një padi ligjore, duke pretenduar se italianë dhe shtetas të tjerë kishin paguar forcat serbo-boshnjake për t’u lejuar të merrnin pjesë në të shtënat ndaj civilëve në Sarajevë. Një dëshmitar i cituar në padi ka deklaruar se tre burra, aktualisht nën hetim, vinin nga Torino, Milano dhe Trieste.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, këta “turistë” paguanin deri në 100 mijë euro, të përshtatura me inflacionin aktual, për të marrë pjesë në këto udhëtime vrasëse.

Gavazzeni ka pohuar se pjesëmarrësve u ofrohej një listë çmimesh për lloje të ndryshme vrasjesh, ku përfshihej edhe vrasja e fëmijëve, që sipas tij kishte çmimin më të lartë, ndërsa vrasja e burrave, grave apo të moshuarve në disa raste kryhej pa pagesë shtesë.

Ai shtoi se italianët fillimisht mblidheshin në Trieste, më pas udhëtonin drejt Beogradit dhe shoqëroheshin nga ushtarë serbo-boshnjakë drejt kodrave përreth Sarajevës. Dyshohet se në këtë praktikë kanë marrë pjesë edhe shtetas nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Në vitin 2007, ish-marinsi amerikan John Jordan dëshmoi para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, duke deklaruar se “snajperët turistë” kishin ardhur në Sarajevë për të qëlluar civilë.

Serbia ka mohuar çdo përfshirje në këtë skemë, por hetuesit dyshojnë se shërbimet serbe të inteligjencës kishin dijeni për këto udhëtime. Hapja e hetimit nga autoritetet italiane në nëntor 2025 ka rritur shpresat e të mbijetuarve se përgjegjësit për këto krime do të dalin përpara drejtësisë.

Scroll to Top