Trump thirrje republikanëve për dosjet e Epstein: Duhet të votojmë për publikim, nuk kemi gjë për të fshehur

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 nentor 2025

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një kthesë të papritur politike, duke u bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që të votojnë pro publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein. Apeli i tij u publikua të dielën mbrëma në platformën Truth Social, ku ai shkroi se “republikanët duhet të mbështesin publikimin e dosjeve, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Qëndrimi i ri i presidentit vjen në një moment kur dhjetëra ligjvënës republikanë janë shprehur të gatshëm të mbështesin hapur projektligjin, pavarësisht presionit të brendshëm të partisë. Kjo javë pritet të jetë vendimtare, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein, i cili do ta detyronte Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha materialet e paklasifikuara që lidhen me financuesin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Projektligji ka mbështetje dypartiake dhe, sipas përfaqësuesit republikan Thomas Massie, deri në 100 republikanë mund të votojnë pro. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Senati do ta miratojë nismën. Nëse ligji kalon në të dyja dhomat, ai do të shkojë në tryezën e Trump për firmë.

Në deklaratën e lëshuar pas rikthimit nga fundjava në Florida, Trump theksoi se Departamenti i Drejtësisë ka publikuar tashmë dhjetëra mijëra faqe dokumente të lidhura me Epstein-in dhe se po heton edhe kontaktet e figurave të njohura politike. Ai shtoi se Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve mund të marrë “çdo material që i lejon ligji” dhe u bëri thirrje republikanëve të unifikohen rreth, siç e quajti ai, një “qendre të qëndrueshme politike”.

Scroll to Top