Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të martën se regjimi i presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, është shpallur organizatë terroriste e huaj. Sipas urdhrit të Trump, të gjitha anijet cisternë të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela do të përballen me bllokadë totale.
Trump, në një postim në Truth Social, deklaroi se regjimi i Maduros përfshihet në aktivitete si terrorizëm, trafik droge dhe trafikim të qenieve njerëzore, përveç shkeljeve të tjera të pronës. Veprimi vjen pas sekuestrimit të një anije cisternë nafte të sanksionuar pranë brigjeve të Venezuelës javën e kaluar, duke vendosur një embargo efektive për anijet që transportojnë miliona fuçi naftë.
Nafta është burimi kryesor i të ardhurave të Venezuelës, dhe për shkak të embargos që nga viti 2019, vendi e shet atë kryesisht në tregun e zi, me çmime më të ulëta, sidomos drejt Kinës.
Trump ka akuzuar më parë regjimin e Maduros për përdorimin e naftës për të financuar “narkoterrorizmin”, trafikun e qenieve njerëzore, vrasje dhe rrëmbime. Maduro ka mohuar akuzat, duke pretenduar se SHBA synon ta rrëzojë për të marrë kontroll mbi resurset e naftës së vendit të tij. Ai gjithashtu akuzoi imperializmin dhe e djathtën fashiste se duan të kolonizojnë Venezuelën për të përfituar nga pasuritë e saj natyrore.

















