Trump: SHBA-ja mund të ofrojë mbështetje ajrore për Ukrainën

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

20 gusht 2025

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përjashtuar të martën vendosjen e trupave amerikane në tokë në Ukrainë, por ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje ajrore si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në vend.

Një ditë pasi Trumpi premtoi garanci sigurie për të ndihmuar në përfundimin e luftës gjatë një samiti të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë, rruga drejt paqes mbeti e pasigurt, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët u përgatitën të përcaktonin se çfarë mund të përfshinte mbështetja ushtarake për Ukrainën.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë, evropianët janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në tokë. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata me gjëra, veçanërisht, ndoshta … nga ajri”, ka thënë Trumpi në një intervistë për programin Fox & Friends të Fox News.

Disa orë pas takimeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington, Rusia ka nisur sulmin më të madh ajror në më shumë se një muaj në Ukrainë, me 270 dronë dhe 10 raketa të lëshuara, ka njoftuar forca ajrore ukrainase, raporton Reuters.

Ministria e Energjisë ka thënë se sulmet shkaktuan zjarre të mëdha në objektet e energjisë në rajonin qendror të Poltavas, ku ndodhet rafineria e vetme e naftës në Ukrainë.

Trumpi e ka pranuar se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje në fund të fundit, duke thënë: “Do ta mësojmë për presidentin Putin në dy javët e ardhshme”.

Natyra e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën sipas një marrëveshjeje paqeje është ende e paqartë. Mbështetja ajrore mund të marrë shumë forma, si sisteme mbrojtëse nga raketat ose avionë luftarakë që zbatojnë një zonë ndalim-fluturimi.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka konfirmuar se mbështetja ajrore amerikane ishte “një opsion dhe një mundësi”, por, ashtu si Trumpi, nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Presidenti ka deklaruar përfundimisht se çizmet amerikane nuk do të jenë në terren në Ukrainë, por ne sigurisht që mund të ndihmojmë në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera garancish sigurie për aleatët tanë evropianë”, ka thënë ajo në një konferencë për shtyp.

Scroll to Top