pum

Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Disa orë pasi zgjedhja e parë e tij për të drejtuar agjencinë më të lartë të zbatimit të ligjit në vend hoqi dorë, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump emëroi ish-Prokuroren e Përgjithshme të Floridës, Pam Bondi, si zgjedhjen e re për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë.

Trump e bëri njoftimin përmes rrjeteve sociale – të njëjtën ditë që ish-kongresmeni, Matt Gaetz, të cilin presidenti i zgjedhur e kishte përzgjedhur për këtë rol javën e kaluar, tërhoqi kandidaturën e tij.

“Për një kohë të gjatë, Departamenti i Drejtësisë i politizuar është përdorur si armë kundër meje dhe republikanëve të tjerë – Jo më”, shkroi 78-vjeçari në platformën e tij Truth Social.

“Pam do ta rikthejë DOJ-në në qëllimin e saj të vërtetë për të luftuar krimin dhe për ta bërë Amerikën të sigurt përsëri. E njoh Pamin prej shumë vitesh. Ajo është e zgjuar dhe e vendosur, dhe një luftëtare për parimin ‘Amerika në rend të parë’, e cila do të bëjë një punë të shkëlqyer si Prokurore e Përgjithshme!”, përfundoi ai.

Emri i Bondit filloi të qarkullonte pothuajse menjëherë pasi Gaetz hoqi dorë prej kandidaturës, tha një burim për CNN.

Ndërsa Trump gjithmonë e ka pëlqyer Bondin, ajo gjithashtu ka lidhje të ngushta me të tjerë në rrethin e tij, duke përfshirë shefen e ardhshme të stafit, Susie Wiles, dhe këshilltarin e tij ligjor, Boris Epshteyn.

Bondi ishte në mesin e një grupi republikanësh që u paraqitën për të mbështetur zotin Trump në gjyqin penal kundër tij në Nju Jork, i cili përfundoi në maj me dënimin e tij për 34 vepra penale.

Ajo ka qenë kryetare në Institutin e Politikave Amerika e Para, një institut kërkimor i krijuar nga ish-punonjës të administratës Trump.

Ndryshe, raportohet se presidenti i ardhshëm amerikan u takua personalisht me Bondin në Mar-a-Lago përpara se t’i ofronte zyrtarisht punën. /Telegrafi/

Scroll to Top