Tronditëse: 22-vjeçarja gjendet e mbyllur në një kolibe qensh, arrestohet gruaja që e kishte birësuar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 dhjetor 2025

Një 22-vjeçare me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore u gjet e mbyllur brenda një kolibeje për qentë në oborrin e një shtëpie në Teksas, pasi një fqinj dëgjoi ulërimat e saj dhe njoftoi policinë. Ngjarja ndodhi më 22 nëntor, kur e reja kërkonte ndihmë me tone të dëshpëruara, duke thënë se kishte frikë dhe kishte nevojë të shkonte në tualet.

Fqinji, 24-vjeçari Justin Anderson, filloi të filmonte situatën, duke e kuptuar menjëherë se bëhej fjalë për një rast të rëndë. Nga ana tjetër e gardhit ai arriti ta qetësonte viktimën, ndërsa pa qartë se ajo ishte e mbyllur në një kafaz të siguruar me kabllo metalike. Pas njoftimit, policia mbërriti shpejt dhe e gjeti të renë të veshur vetëm me rroba të holla, ndonëse temperaturat ishin të ulëta. Ajo u dërgua menjëherë në spital dhe më pas iu besua një anëtari të familjes.

Kujdestarja e saj, 60-vjeçarja Kandice “Candy” Thompson – e njohur në komunitet për kujdesin ndaj fëmijëve dhe e veja e ish-shefit të policisë lokale – u arrestua dhe u akuzua për rrëmbim personi, keqtrajtim të personave me aftësi të kufizuara, ndalim të paligjshëm dhe rrezikim jete. Sipas policisë, 22-vjeçarja ishte birësuar nga familja Thompson që në moshën dy vjeçare dhe mbyllja në kafaz përdorej si “ndëshkim”. Dy të rritur të tjerë me aftësi të kufizuara u larguan gjithashtu nga banesa.

Shefi i policisë, Daniel Graziose, e përshkroi rastin si “tronditës për ndërgjegjen njerëzore”, duke falënderuar fqinjët për reagimin e tyre të menjëhershëm. Ai vlerësoi ndërhyrjen e Anderson, duke deklaruar se ajo mund t’i ketë shpëtuar jetën viktimës, dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo situatë të dyshimtë brenda komunitetit.

Scroll to Top