“Tmerri në Gaza vazhdon të përjetohet, ndërsa bota shikon”, OKB: Rezervat ushqimore kanë mbaruar, qasja në ujë po bëhet e pamundur

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 maj 2025

Zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në Gaza, Olga Cherevko tha se Izraeli ka bllokuar hyrjen e të gjitha ndihmave humanitare dhe furnizimeve mjekësore gjatë dy muajve të fundit dhe rezervat ushqimore në rajon kanë mbaruar kryesisht ndërsa qasja në ujë është bërë e pamundur.

Cherevko i bëri vlerësimet e saj përmes internetit në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

Ajo tërhoqi vëmendjen ndaj realitetit të pamëshirshëm që po përjetohet në Gaza.

Cherevko tha se vendimmarrësit për muaj të tërë kanë parë në heshtje imazhet e fëmijëve të përgjakur, gjymtyrëve të prera dhe prindërve të pikëlluar.

“Pas gati 18 muajsh lufte të përgjakshme, Gaza është shndërruar në rrënojë. Rrugët janë plot me rrënoja dhe zhurmat e fëmijëve që luajnë mbyten nga zhurma e shpërthimeve”, tha Cherevko.

Ajo shtoi se Izraeli dy muaj më parë ka mbyllur kufijtë për të penguar hyrjen e ndihmës humanitare dhe furnizimeve të tjera në Gaza dhe kjo ka shkaktuar një numërim mbrapsht për skenarin më të keq.

“Rezervat ushqimore kanë mbaruar kryesisht, qasja në ujë po bëhet e pamundur dhe spitalet po raportojnë se po u mbarojnë njësitë e gjakut. Viktimat masive vazhdojnë të vijnë. Në më pak se një muaj e gjysmë, mbi 420 mijë njerëz në Gaza janë detyruar të largohen përsëri. Shumë prej tyre kanë mbërritur në strehimore të mbipopulluara vetëm me rrobat që kishin të veshura në trup si dhe duke u shënjestruar gjatë rrugës. Tendat dhe objektet e tjera ku njerëzit kërkojnë siguri po bombardohen”, tha Cherevko.

”Tmerri në Gaza vazhdon të përjetohet, ndërsa bota shikon”, nënvizoi Cherevko.

Scroll to Top