Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 qershor 2025
TIRANË (AA) – Në kuadër të 81-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në Tiranë u zhvillua konferenca shkencore kombëtare me temën “Çështja çame – Histori, kujtesë dhe ndërgjegje kombëtare”, e organizuar nga Fondacioni “Çamëria ‘Hasan Tahsini’”.
Në fjalën e hapjes, kreu i fondacionit, Alket Veliu, theksoi rëndësinë e muajit qershor për komunitetin çam, duke e cilësuar si një periudhë për reflektim, kujtesë historike dhe ndërgjegjësim kombëtar. Ai nënvizoi se gjatë këtij muaji janë zhvilluar aktivitete të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë, për të ndriçuar të kaluarën dhe për të përcjellë mesazhin e Çamërisë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Festivalin e Filmit Shqiptar në Boston.
Veliu tha se çështja çame nuk është vetëm një kapitull i mohuar i historisë, por një padrejtësi e vazhdueshme që ende kërkon drejtësi. Ai kërkoi njohjen e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe dënimin moral të tyre, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Gjatë konferencës, studiues dhe historianë të ndryshëm trajtuan aspekte historike të çështjes çame, përfshirë gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe dëshmitë e të mbijetuarve.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Sipas historianëve, dhuna ndaj shqiptarëve të Çamërisë nisi pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe arriti kulmin gjatë viteve 1944–1945, kur forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës kryen masakra të përgjakshme. Gjatë kësaj periudhe, rreth 5 mijë shqiptarë civilë – përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – humbën jetën, ndërsa 35 mijë të tjerë u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre dhe u vendosën në Shqipëri si refugjatë.
Në vitin 1994, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin që e shpall 27 qershorin si “Ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, e cila tashmë përkujtohet çdo vit në kalendarin kombëtar.