Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
17 qershor 2025
Për herë të parë, Mitrovica ka krijuar një Bord të Përbashkët mes dy komunave – asaj jugore me shumicë shqiptare dhe veriore me shumicë serbe – me qëllim realizimin e projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e lumit Ibër.
Bordi, i përbërë nga dhjetë anëtarë (nga pesë për secilën komunë), është themeluar sipas Ligjit për kufijtë administrativë të komunave dhe udhëhiqet nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai thekson se bordi synon bashkëpunim praktik, jo bashkim institucional.
Krijimi i këtij mekanizmi, i paraparë që në Pakon e Ahtisaarit, është penguar për më shumë se një dekadë për shkak të refuzimit të Mitrovicës së Veriut, që deri vonë ishte nën kontrollin e Listës Serbe. Nënkryetarja e kësaj komune, Katarina Agjançiq, thotë se mungesa e bashkëpunimit ka ndikuar negativisht në zhvillimin e qytetit.
Edhe pse hapi është përshëndetur nga institucionet, njohës të qeverisjes lokale paralajmërojnë se funksionimi i bordit varet nga vullneti politik, sidomos pas zgjedhjeve lokale të tetorit. Bordi ka rol konsultativ dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse.
Qeveria dhe përfaqësuesit lokalë thonë se tani fokusi është te bashkëpunimi dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve – megjithëse e ardhmja e këtij mekanizmi mbetet e pasigurt.
Sipas paragrafit 2 të nenit 8 të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave, nëse Bordi i Përbashkët nuk konstituohet brenda afatit ligjor, kryesuesi i tij merr përkohësisht funksionet e përcaktuara në nenin 7, të cilat lidhen me nxitjen e bashkëpunimit në fusha si zhvillimi ekonomik, shëndetësia publike, dhe planifikimi urban e rural.
Megjithatë, sipas njohësit të qeverisjes lokale, Sadri Rrmoku, kjo dispozitë është vështirë e zbatueshme në praktikë. Ai thekson se kryetari i Bordit nuk ka kompetenca ekzekutive për të ndërhyrë në çështjet vetanake të komunave, ndaj funksionimi i bordit bëhet i pamundur nëse njëra prej tyre refuzon bashkëpunimin.
“Bordi është jofunksional nëse një komunë nuk pranon të diskutojë për kompetencat e saj me tjetrën,” thotë Rrmoku.
Krijimi i këtij Bordi vjen në kohën kur Qeveria Kurti, që prej vitit 2021, ka intensifikuar përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të shtetit në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë edhe mbylljen e dhjetëra institucioneve që vepronin jashtë kornizës ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst, edhe themelimi i Bordit shihet si pjesë e përpjekjeve për konsolidimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit.